Ambasadorët e Kuintit, të alarmuar për ngjarjet e Kuvendit të Kosovës

09/10/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pritur në një takim këtë të premte ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian, për të diskutuar për situatën e fundit të krijuar në Kuvend.

Pas një takimi të gjatë me ta nuk pati ndonjë deklaratë për gazetarët, por sipas komunikatës për media të lëshuar nga Kuvendi, ambasadorët e vendeve të Kuintit kanë shprehur shqetësimin e vendeve të tyre për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, nga veprimet e partive opozitare.

Ata i dhanë mbështetje të plotë kryetarit Veseli dhe e përgëzuan për udhëheqësinë e vendosur demokratike të treguar në drejtimin e Kuvendit në situatën aktuale.

Siç njofton deklarata për shtyp, ambasadorët i kanë dhënë mbështetje kryeparlamentarit Veseli për mënyrën  e udhëheqjes së seancave, ndërsa kanë dënuar mjetet e përdorura nga deputetët opozitarë dhe veprimet e tyre – sipas ambasadorëve të Kuintit, – rrezikojnë të dëmtojnë përpjekjet e Kosovës për të ecur më shpejt në rrugën europiane.

Menjëherë pas takimit me Veselin, ka qenë ambasadori britanik, ai që ka bërë thirrje publike për respektim të normave demokratike në Kosovë.

“Së bashku me kolegë të tjerë diplomatë, sot vizitova kryetarin e Kuvendit të Kosovës për t’i dhënë mbështetjen time këtij institucioni, që përfaqëson demokracinë e arritur me aq shumë përpjekje në Kosovë. I takon popullit të Kosovës të vendosë për udhëheqësit, qeverinë dhe partitë politike. Por, si një demokraci e re europiane, Britania e Madhe mbështet vlerat demokratike në Kosovë”, shkruan ambasadori britanik në një status në Facebook, të postuar pas takimit me kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Top Channel ka mësuar se, ambasadorët e Kuintit kanë takuar pa praninë e medieve edhe krerë të tjerë të shtetit, për të diskutuar për gjendjen e fundit.

Pas takimeve me ambasadorët, kryetari i Kuvendit Veseli ka takuar të premten edhe Presidenten, Atifete Jahjaga, e cila ka shprehur shqetësimin për veprimet e dhunshme në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës.

Sipas komunikatës për media të lëshuar pas takimit, Presidentja Jahjaga inkurajon deputetët, që mospajtimet konceptuale dhe politike t’i diskutojnë me forcën e argumentit dhe në frymën e kulturës parlamentare, të cilën synojnë ta ndërtojnë.

Top Channel