Kosovë, seanca e ardhshme e Kuvendit do të mbahet të enjten

08/10/2015 17:45

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në një mbledhje të mbajtur të enjten pasdite, vendosi që seanca e radhës të mbahet të enjten e javës së ardhshme, më 15 tetor, në orë 10:00.

Pavarësisht bllokadës nga deputetët e opozitës, Kryesia vendosi që punimet e Kuvendit të vijojnë normalisht. Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti tha se Kryesia duhet të dalë me një komunikatë për ngjarjet e paradites, pasi sipas tij, veprimet e opozitës me mjetet e përdorura kanë sjellë rrezikim të jetës së deputetëve.

Ai tha se duhet kërkuar raport edhe nga sigurimi i Kuvendit për të parë se si deputetët i kanë futur në Kuvend mjetet e përdorura në seancë.

Me këtë rast, edhe kryetari i Kuvendit tha se ngjarjet e paradites nuk i shërbejnë demokracisë. Ai tha se në asnjë vend demokratik në botë nuk është parë që opozita të dhunojë pozitën.

Ai tha se gazi lotësjellës dhe mjetet e tjera të përdorura nga opozita paraqesin cënim fizik që mund të shkaktojë edhe viktima.

Në këtë mbledhje sërish munguan përfaqësuesit e opozitës, të cilët po bojkotojnë edhe komisionet parlamentare, ndërsa po marrin pjesë vetëm në seanca për t’i bllokuar ato.

Top Channel