Kosovë, gaz lotsjellës në Parlament nga opozita

08/10/2015 00:00

Përpjekja e deputetëve të shumicës për t’i zhvilluar punimet e seancës plenare në Kuvendin e Kosovës rezultoi pa sukses, pas përhapjes së gazit lotsjellës në sallën e Parlamentit.

Deputetët opozitarë këtë herë përdorën gazin lotsjellës, si mënyrën e vetme për ta shpërndarë seancën e Kuvendit, e cila po zhvillonte punimet pavarësisht kushteve të jashtëzakonshme. Dy deputete nga radhët e PDK-së, Flora Brovina dhe Blerta Deli Kodra patën probleme si pasojë e tymit, që u shpërnda në gjithë sallën e Kuvendit.

E gjithë kjo ndodhi, pasi deputetët opozitarë nuk arritën ta ndërpresin seancën përmes bilbilave, duke pamundësuar kështu edhe fjalën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili u detyrya t’ia kalojë kryesimin e seancës Xhavit Halitit. Në këtë situatë, ai ftoi mediat brenda sallës, për ta përçuar mesazhin se, pakica nuk mund të diktojë vullnetin e shumicës.

“Ne dëshirojmë që deputetët e opozitës të vijnë e të komunikojnë në Parlament. Janë 90 deputetë, që dëshirojnë të vazhdojnë punën, ndërsa janë edhe 30 deputetë, që tentojnë ta bllokojnë seancën. Le ta vëmë në pikë e rendit të ditës së seancës plenare, nëse dëshirojmë ta vazhdojmë apo ta bllokojmë atë dhe le ta vendosin vetë deputetët në mënyrë të lirë. Por, askush dhe asnjëherë nuk do të mundet me asnjë mjet, të bllokojë punën e Kuvendit. Kësaj gjëje i ka vendosur vulën në qershor të 1999-s UÇK-ja dhe më 17 shkurt 2008 vullneti i qytetarëve të Kosovës”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

“Mendimi ynë është se, nuk ka numra kundër Republikës; nuk ka shumicë parlamentare, që ka të drejtë ta cungojë Republikën e Kosovës. Nuk na e kanë dhënë mandatin, që t’i shesim interesat kombëtare dhe shtetërore”, tha Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të VV.

Në këtë seancë, ku deputetët e opozitës qëndruan gjatë gjithë kohës në këmbë duke vërshëllyer, nuk munguan përplasjet e forta verbale, e po kështu edhe gjuajtjet me ujë e me shishe plastike në drejtim të njëri-tjetrit.

Udhëheqësi opozitar, Albin Kurti, i cili përpiqej të pengonte fjalën e secilit deputet, tha se nuk do ta pranojë Asociacionin e komunave serbe, apo “Zajednicën”, pasi atë nuk e ka pranuar as në burg.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, i cilësoi veprimet e opozitës si mungesë argumentesh, duke shtuar se, po të kishte debat për çështjet e hapura, edhe ai mund të ishte kundër tyre.

“Le të vijnë e të thonë. Unë jam i pari që nuk do ta votoj demarkacionin, nëse kanë argumente. Por ato duhet të thuhen në Kuvend, jo në rrugë. Edhe për marrëveshjet me Serbinë është e njëjta gjë. Kjo çfarë po ndodh është mungesë argumentesh”, tha Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të LDK-së.

Në mesin e deklaratave të shumta me akuza e kundërakuza të deputetëve nga të dy grupet, ka qenë kryetari i “Nismës për Kosovën”, Fatmir Limaj, i cili kërkoi që këto çështje të zgjidhen në një tavolinë konsensusi.

“Në këtë situatë ku na kanë sjellë, duhet të ulemi të gjejmë zgjidhje. Natyrisht, kërkesa e opozitës është që qeveria të terhiqet nga nënshkrimi dhe për të gjetur variante, të cilat nuk dëmtojnë funksionalitetin e shtetit dhe nuk legjitimojnë pushtetin e tretë e ndarjen etnike në Kosovë. Kjo zgjidhje nuk është në xhep dhe nuk vjen nga një individ, por duhet të vijë me konsensus nga partitë politike. Duhet të kthehet normaliteti në këtë vend”, tha Fatmir Limaj, kryetar i “Nisma për Kosovën”.

Sërish pak sinjale të tjera mbeten për zhbllokimin e situatës, të paktën jo për aq kohë sa komunikimi i vetëm mes qeverisë, opozitës, Presidencës dhe Kuvendit mbeten vetëm në nivel komunikatash për mediat. Ndërsa palët ende qëndrojnë të vendosura në qëndrimet e tyre.

Top Channel