Mbështetja e tepruar te kompjuterët dhe motorët e kërkimit po i dobëson njerëzve kujtesën. Tani, në vend që të përpiqen të ruajnë informacionet në mendje, shumica prej nesh thjesht përdor kompjuterin.

Një studim i realizuar nga firma e sigurisë kibernetike “Kaspersky lab” mbi 6000 të rritur nga Britania, Franca, Gjermania, Italia, Spanja, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu tregoi se, ndërsa një pjesë e tyre mund të mbanin mend fare mirë numra telefoni nga fëmijëria, numrat aktualë të kolegëve të punës apo edhe ata të familjarëve të tyre nuk i kujtonin dot përmendësh.

Maria Wimber, e Universitetit të Birminghamit, pohon me shqetësim se trendi i informacioneve të gatshme është duke penguar zhvillimin e kujtesës afatgjatë. Me therës, problemi paraqitet te britanikët, gati gjysma e të cilëve përgjigjen e çdo pyetjeje e kërkojnë online.

Shtimi i rasteve të asaj që njihet si “amnezia dixhitale” lidhet pikërisht me gatishmërinë e njerëzve për të harruar informacionet e rëndësishme, me bindjen se do t’i gjejnë shumë shpejt të gatshme në internet.

Studimi tregon gjithashtu se, sa shqetësuese është tendenca për të ruajtur çdo kujtim personal në formën dixhitale, duke sjellë si shembull fotografitë e momenteve më të rëndësishme, që mbahen nëpër smartphone, ku rreziku i fshirjes apo i humbjes ose vjedhjes së aparatit është gjithmonë i pranishëm.

Top Channel