Makineritë inteligjente po fillojnë të kuptojnë botën përtej biteve dhe bajtëve. Në 2050, mendojnë disa ekspertë, makineritë do të kenë arritur nivelin e inteligjencës njerëzore.

Në botën e teknologjisë prej pak kohësh ka nisur një erë e re me makineritë autodidakte. Kompjuterat kanë nisur të asimilojnë informacion për mjedisin rrethues në të njëjtën mënyrë siç mësojnë fëmijët.

Kjo do të thotë se po arrijmë me shpejtësi në epokën kur makineritë do të mësojnë njëra-tjetrën si të luajnë lojëra, si të mendojnë, si dhe të bashkëbisedojnë me njëra-tjetrën si formë komunikimi. Embrionet e epokës së bashkëbisedimit me zë të makinerive konsiderohen asistentët vokalë si Siri, Cortana, Google Noë, etj.

Fei-Fei Li është njëra nga shkencëtaret më në zë dhe më të angazhuara në këtë sektor. Ajo po punon në ndërtimin e një roboti të pajisur me shqisën e shikimit.

“Askush nuk e mëson një fëmijë sesi të shohë. Ata mësojnë vetë përmes përvojës në jetën e përditshme”, shprehet Li.

Në fakt, gjysma e fuqisë së trurit të një njeriu shkon për shikimin, megjithëse ne nuk sforcohemi për ta bërë këtë.

“Nëse imagjinon sytë e një fëmijë si dy kamera, atëherë ato fotografojnë një imazh çdo 200 milisekonda. Pra në moshën 3-vjeçare, një fëmijë ka parë qindra-milionë imazhe të botës reale dhe kjo është goxha përvojë, goxha stërvitje”, logjikon Li, duke u shprehur optimiste se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me një robot.

Top Channel