Statusi i refugjatit; shumë do ta fitojnë, por dikush mund të kthehet mbrapsht

09/09/2015 12:00

Prej muajsh të tërë tashmë, europianët janë dëshmitarë skenash kaotike vërshimi të emigrantëve në Greqi, Itali dhe Europën Qendrore.

E gjendur përballë një situate të paprecedentë, BE-ja përpëlitet të koordinojë politikat e azilit mes 28 anëtarëve të saj. Në fokus tani është mekanizmi i shpërndarjes së 160 mijë azilkërkuesve të rinj anembanë bllokut, ndërsa mosmarrëveshjet janë të mëdha.

Shumë prej këtyre njerëzve do të kualifikohen si refugjatë, sidomos të shpërngulurit nga Siria, Afganistani apo vende të tjera në konflikt. Refugjat konsiderohet ai, që i largohet luftës apo persekutimit, e që gëzon për rrjedhojë të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare.

Por sa nga ata, që nuk do të arrijnë ta marrin këtë status, do të kthehen mbrapsht?

Në 2015-n, grupi më i madh i emigrantëve në Europë për nga kombësia konsiderohen sirianët, të dytët vijnë afganët, e pastaj me radhë eritreasit, nigerianët e somalezët.

Lufta dhe abuzimet me të drejtat e njeriut kanë pllakosur me kohë këto vende, ndaj shumë azilantë prej andej do të konsiderohen automatikisht refugjatë. Megjithatë, çdo rast ndryshon nga tjetri dhe për disa do të jetë më e vështirë, të vërtetojnë se e meritojnë qëndrimin në Europë.

Një pjesë e këtyre njerëzve nuk kanë pasaporta apo karta identiteti. I kanë humbur ndoshta, teksa rrezikonin jetën në Mesdhe e Ballkan, apo abuzoheshin prej trafikantëve. Përcaktimi i saktë i kombësisë së tyre mund të jetë një proces i gjatë, e në fund nuk është çudi, që të vihet edhe në diskutim prej vendeve, të cilave u është kërkuar t’i marrin përsipër.

Nga ana tjetër, mjaft emigrantë që mbërrijnë në BE nga Afrika Subsahariane apo Ballkani Perëndimor nuk arrijnë të marrin azil, për shkak se klasifikohen si emigrantë ekonomikë.

Megjithatë, një nga arsyet e forta, që vazhdon t’i shtyjë klandestinët drejt Europës, mbetet fakti që më pak se gjysma e azilkërkuesve të dështuar dëbohen vërtet, siç ndodhi në 2013-n, kur BE-ja ktheu mbrapsht vetëm 39% të personave, të cilëve iu refuzua azili.

Top Channel