Refugjatët, Venezuela hap dyert për 20 mijë sirianë

09/09/2015 14:20

Në një kohë kur në Europë po përshkallëzohen vuajtjet e refugjatëve të ardhur nga vendet e konfliktit, e gjithnjë e më shumë shtetet po dalin hapur kundër përballimit të tyre, lajme të kundërta vijnë nga Venezuela, ku Presidenti i vendit Nicolas Maduro është shprehur i gatshëm, që të presë në vendin e tij 20 mijë refugjatë nga Siria.

“Unë dua të pres 20 mijë sirianë, apo familje siriane. Të vijnë në Venezuelë dhe të ndajmë së bashku këtë tokë në paqe”, u shpreh ai, gjatë një takimi me Këshillin e Ministrave në Karakas.

E njëjta thirrje vjen edhe nga vende të tjera, si Kili apo Brazili. Thirrje të tilla vijnë në një moment, kur i dërguari special i Kombeve të Bashkuara në Siri, Staffan de Mistura u shpreh të hënën se, 1 milion sirianë rrezikojnë jetët e tyre, si pasojë e aktiviteteve terroriste të Shtetit Islamik.

Siria ndodhet në konflikt të vazhdueshëm që prej vitit 2011, si pasojë e të cilit më shumë se 250 mijë persona kanë humbur jetën e 11 milionë të tjerë kanë emigruar.

Top Channel