U21, Shqipëria zhgënjen ndaj Portugalisë, mposhtet 1-6

08/09/2015 20:10

Pritej një ndeshje pozitive për ekipin Shpresa të Shqipërisë në ndeshjen ndaj moshatarëve të tyre portugezë, por nuk rezultoi kështu, pasi nënkampionët e Europës arritën një fitore tenistike në “Qemal Stafa”, 6-1.

Në 15 minutat e fundit të pjesës së parë, portugezët arritën të shënojnë 4 herë. Neves hapi serinë e golave në minutën e 31, ndërsa në pjesën e parë shënuan edhe Lopez e dy herë Silva. Ndërkohë ekipi shqiptar i drejtuar nga Redi Jupi ishte inekzistent në fushën e lojës edhe pse në qendrën e mbrojtjes luajti një lojtar si Rrahmani, i cili ishte i grumbulluar nga De Biasi në dy ndeshjet eliminatore të kombëtares, por nuk u aktivizua për asnjë minutë.

Edhe në pjesën e dytë, 21 vjeçarët portugezë dominuan gjithçka duke shënuar edhe dy herë të tjera. Silva realizoi golin e tretë personal në minutën e 62 dhe të pestin e ndeshjes, ndërsa Horta i çoi shifrat në 0-6.

Autori i golit të nderit për ekipin tonë ishte Milot Rashica, i cili ktheu një gol asistin e marrë nga Ymeraj.

Kjo ishte humbja e parë për U21 të Shqipërisë, ku në dy ndeshjet e para ka arritur një fitore dhe një barazim me Izraelin në “Qeman Stafa”.

Top Channel