Kosovë, shënohet 16-vjetori i policisë. Synohet anëtarësimi në Interpol dhe Europol

04/09/2015 15:55

Anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare të sigurisë si Interpol dhe Europol konsiderohet sfidë dhe synim për shtetin dhe Policinë e Kosovës në përvjetorin e 16 të themelimit.

Në ceremoninë zyrtare për shënimin e kësaj dite, kryeministri Isa Mustafa theksoi se policia mbetet një ndër institucionet më të besueshme në Kosovë.

“Policia e Kosovës vazhdon padyshim të jetë një ndër institucionet që gëzon besimin më të madh të qytetarëve të vendit tonë. Sepse profesionalizimi dhe performanca e policisë në terren ka dëshmuar nivelin e lartë të suksesit dhe përgatitjes që mund të jetë shembull për rajonin por dhe më gjerë. Se këto suksese janë arritur në bazë të përkushtimit tuaj, janë arritur po ashtu me përkrahjen e miqve tanë në krijimin dhe ndërtimin e Policisë së Kosovës”, u shpreh Mustafa.

Duke folur për kërcënimet globale, krimin e organizuar, radikalizimin dhe terrorizmin, udhëheqësit e policisë theksuan angazhimin e forcave të rendit për të pasur një ambient të qetë dhe të sigurtë në Kosovë duke shtuar se përballja më e fortë mund të bëhet kur Policia e Kosovës do të anëtarësohet në Interpol dhe Europol.

“Ju keni bërë një punë të shkëlqyeshme për 16 vite radhazi dhe jo rastësisht Policia e Kosovës sot perceptohet dhe vlerësohet si një nga policitë më të mira, më profesionale, më e trajtuara në Ballkanin Perëndimor. Synim parësor dhe fondamental i shtetit tonë mbetet integrimi i mëtejmë në strukturat ndërkombëtare dhe në rastin e PK-së, synim parësor mbetet integrimi i plotë dhe anëtarësimi në Interpol dhe hyrja në marrëdhënie kontraktuale me Europolin”, deklaroi ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni.

“Policia e Kosovës e themeluar në baza të një policie demokratike dhe profesionale, e cila për këto 16 vite të shërbimit të saj përmes një procesi të vështirë dhe të ndërlikuar të zhvillimit dhe transformimit ka arritur të tejkalojë sfida të shumta në vendosjen, ruajtjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Shënimi i përvjetorit të themelimit të policisë, ku po merrte pjesë kryeministri Isa Mustafa, nuk kaloi pa aktivitetin protestues të Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, fakti që kryeministri Mustafa zgjodhi të mos përballet me aktivistët e Vetëvendosjes, duke u larguar nga ana tjetër e pallatit të rinisë, bëri që aktivistët e VV-së ta mbyllin e aksionin duke e quajtur frikacak të parin e qeverisë.

Top Channel