Shërbimi on-demand është rritur shumë këto vitet e fundit, sipas një raporti të ri të Ericsson. Konsumatorët shpenzojnë mesatarisht 6 orë në javë duke parë filma apo spektakle televizive në këtë format.

Të dhënat, shkruan “The Verge”, janë dyfishuar që prej vitit 2011, ku mesatarja javore ishte në 2.9 orë. Më shumë se 50 për qind e përdoruesve thonë se shohin përmbajtjet në transmetimin on-demand të paktën një herë në ditë.

Raporti i Ericsson bazohet në analizën e të dhënave nga pajisjet Android dhe iOS, dhe nga 20 mijë të intervistuar online. Platformat telefonike preferohen më shumë nga konsumatorët e brezit të ri, të moshave nga 16 deri në 34 vjeç, me smartphone, tabletë, laptop duke shënuar 53% të kohës së tyre të shikimit.

Në të gjitha grupmoshat, numri i konsumatorëve që shohin video në smartphone është rritur 71% nga 2012. Mes të rinjve, gati 2/3 shohin televizor apo video përmes këtyre pajisjeve, smartphone, tablet dhe laptop.

Televizioni i zakonshëm vazhdon të komandojë audiencën e qëndrueshme, dhe kjo për shkak të transmetimit live të ndeshjeve sportive, me 60% të brezit të ri që shohin një herë në ditë, dhe 82% të moshave 60-69 vjeç. Shikimi i eventeve që dëshirojmë është bërë mëse i përhapur me abonimin e përdoruesve në shërbimin on-demand, me 87% të tyre që thonë se shohin të paktën një herë në javë programet që dëshirojnë.

Top Channel