Smartphone është edhe “zbulues i mërzitjes”

03/09/2015 00:00

Mes funksioneve të ndryshme që mund të ketë një smartphone është edhe ai i “zbuluesit të mërzitjes”. Në këtë përfundim kanë arritur një grup studiuesish spanjoll, që do të prezantojnë studimin në kongresin e ardhshëm UbiComp në Japoni.

Në këtë studim ata do të prezantojnë algoritmin e tyre në sajë të të cilit kuptohet nëse përdoruesi është mërzitur, në bazë të aktivitetit të kryer me një efikasitet 83%.

Për këtë studim, grupi spanjoll ka përcaktuar karakteristikat e mërzitjes duke përdorur një aplikacion për Android në të cilin i kërkohej përdoruesve disa herë në ditë të vlerësonin nivelin e tyre të mërzitjes për dy javë. Këto përgjigje u ndërthurën më pas me të dhëna të tjera të marra nga smartphone-i, si për shembull shpeshtësia e përdorimit apo numri i aplikacioneve të hapura që rriten kur një person mërzitet më shumë.

Për t’i dhënë vlerë algoritmit studiuesit kanë ideuar një tjetër aplikacion, i cili sapo zbulon mërzitjen e përdoruesit dërgon një alarm ku i kërkon nëse dëshiron të lexojë një artikull. Përdoruesit e mërzitur kanë hapur këtë artikull, më shumë se të tjerët.

“Në hapin e radhës do të kuptojmë se çfarë preferojnë në smartphone personat e mërzitur, për çfarë aktiviteti janë të interesuar, për shembull të mësojnë një gjuhë”, thotë grupi spanjoll i studimit.

Top Channel