Pakoja e re fiskale, Sharku: Ndëshkime për ata që s’e aplikojnë

03/09/2015 21:25

Administrata Tatimore e Kosovës paralajmëron ndëshkime për bizneset të cilat nuk i respektojnë ndryshimet e reja fiskale, përkatësisht reduktimin e TVSH-së nga norma bazë 16 në 8, dhe 18 për qind.

Në një intervistë për Top Channel, drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Nahit Sharku tha se pakoja e re fiskale nuk duhet të prodhojë ngritje të çmimeve, por ulje të tyre.

Ai kërkoi që t’u jepet pak kohë bizneseve derisa të përshtaten me sistemin e ri, ndërkohë që seminaret sqaruese për bizneset dhe publikun vazhdojnë edhe tani që ligjet kanë hyrë në fuqi.

“Për të gjitha rastet ku konstatojmë se tatimpaguesit abuzojnë me ligjin ne do të zbatojmë masa ligjore që parashihen p.sh në rast se ata gabimisht zbatojnë normat e TVSH-së, nëse nuk kanë mbajtur regjistrimet e nevojshme, nëse nuk kanë mbajtur kupona tatimor, etj”, u shpreh Sharku.

Ndryshe nga shumë qytetarë të cilët janë ankuar për rritjen e menjëhershme të  çmimeve, drejtori i ATK-së tha se nuk e ka vënë re këtë, për të shpjeguar edhe përparësitë që sipas tij, ka pakoja e re fiskale, sidomos tek prodhuesit vendorë dhe investitorët huaj.

“Unë personalisht nuk kam vërejtur ngritje sepse kam qenë shumë i kujdesshëm, por kam vërejtur vetëm disa zbritje të lehta, indirekt pakoja e re fiskale prodhon për të gjitha produktet ulje të çmimeve sepse nëse një prodhues do të kishte investuar para pakos fiskale 1 milion euro, ai do të duhej të paguante 160 mijë euro TVSH në kufi, nëse tani ai do të importojë pajisje apo lëndën dhe nuk do ta paguajë këtë shumë, duke i krijuar mundësi që të jetë më i lirë në treg”, deklaron Sharku.

Po ashtu, Sharku tha se Administrata Tatimore nuk mund të ndikojë në ndryshimin e çmimeve te bizneset, mirëpo premtoi se qytetarët do ta ndjenjë këtë muaj uljen e çmimit te shërbimet publike për të cilat është ulur norma e TVSH-së nga 16 në 8 për qind.

“Unë besoj se në këtë muaj do ta shihni faturën më të lirë, nga 16 do të paguajmë 8 për qind, dhe drejtpërdrejt do të jemi dëshmitarë se kjo do të ndikojë te çdo ekonomi familjare, por kjo ulje do të ndikojë edhe te sektori i prodhimit, pasi ata do ta kenë energjinë më të lirë për prodhim”, vazhdoi Shatri.

Sipas paketës së re fiskale, është bërë shkallëzimi i TVSH-së, duke e zbritur atë nga 16% në 8 për qind për produktet e shportës dhe shërbimet publike, ku përfshihen energjia, ngrohja dhe uji, por TVSH-ja është rritur me 18 për qind për të gjitha produktet e shërbimet e tjera.

Në kuadër të ndryshimeve, është hequr tatimi për lëndën e parë dhe makinerinë prodhuese, siç thonë autorietet, pa kufizime në produkteve apo lloje të makinerive.

Top Channel