Mustafa jep arsyet: Ja pse do krijohet Asociacioni i Komunave Serbe

03/09/2015 00:00

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka shpjeguar arsyet e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe.

Sipas tij, kjo është në të mirë të Kosovës, pasi deri më sot nuk u arrit integrimi i katër komunave në veri. Gjithashtu, Mustafa thotë se pas krijimit të kësaj shoqate, gjithçka do të funksionojë në bazë të ligjeve të Kosovës.

“Pse lindi Asociacion??? Për gjashtëmbëdhjetë vite Kosova nuk arriti të integrojë veriun e vendit. Pavarësia u shpall në kufijtë që Kosova i kishte në vitin 1974, por sovraniteti nuk u arrit të ushtrohet në pjesën e veriut të lumit Ibër. Atje mbetën katër komuna, Mitrovica e Veriut, Leposaviçi, Zubin Potoku dhe Zveçani; mbeti një pjesë e madhe e Trepçës dhe liqeni më i madh, Ujmani, nga i cili gjenerohet energji, furnizohet me ujë Kosova B dhe komunat përreth, me shumicë shqiptare dhe me shumicë serbe. Në këto komuna zhvillohej çdo gjë, veçse asgjë në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës dhe as të drejtuara nga institucionet e Republikës së Kosovës”, shkruan kryeministri ne status.

“Prandaj, në vend që të krijojmë frikë e tmerr nga ky asociacion, le të kthehemi e ta trajtojmë atë si formë të integrimit të pakicave, sidomos të asaj serbe, si formë të funksionimit të vendi tonë si vend shumetnik, si formë të demokracisë europiane dhe si mundësi të komunikimit dhe të besimit të brendshëm”, bën thirrje kryeministri.

Top Channel