Asociacioni, VV: I jepen Serbisë të drejta të plota. Kosova drejt federalizimit

02/09/2015 00:00

Marrëveshja e nënshkruar nga kryeministri Isa Mustafa, e cila i jep Serbisë të drejta të plota në kontrollin e komunave me shumicë serbe, po e çon Kosovën drejt federalizimit të saj.

Kështu u tha këtë të mërkurë, gjatë një takimi publik të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, në të cilin morën pjesë edhe partitë e tjera opozitare.

Shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca tha se, qeveritarët do të duhej ta kundërshtonin këtë politikë, por ata po e ushqejnë edhe më shumë këtë strategji, si pasojë e së cilës erdhi kjo marrëveshje.

Kryetari i kësaj lëvizjeje, Visar Ymeri tha se, kjo marrëveshje nënkupton shkrirjen e subjektivitetit të vendit.

Ndërkohë, përmes një komunikate për mediat, Lëvizja Vetëvendosje njofton se Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmjen e së martës 4 aktivistë të saj, të cilët kanë qenë duke shkruar parulla në qytetin e Ferizajt.

Përveç kësaj, Policia – siç njofton Vetëvendosje, – ka arrestuar edhe aktivistin Kushtrim Dakaj në shtëpinë e tij, në Prishtinë.

Nga ana tjetër, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka identifikuar tashmë dhe do të arrestojë përgjegjësit e rrëzimit të rrethimit të Kryeminstrisë, të ndodhur një ditë më parë në Prishtinë.

Vetëvendosje bën të ditur se këto janë thjesht masa të dhunshme të Isa Mustafës, të cilat ai nuk ka ndërmend t’i ndalë.

“Isa Mustafa nuk ka ndërmend t’i ndalë masat e dhunshme. Masa të tilla janë aplikuar në Kosovë, sa herë që pushtetet e ndryshme kanë dashur të çojnë përpara projekte, që janë në kundërshtim me vullnetin dhe interesin e popullit të Kosovës. Qeveria po e tensionon situatën me këto veprime, duke treguar që është në gjendje të krijojë ‘Zajednicën’, edhe nëse kjo kërkon ushtrim të dhunës dhe represionit mbi popullin e vet”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Top Channel