Lutja botërore për paqen, San’t Egidio zgjedh Shqipërinë

27/08/2015 00:00

Paqja është gjithnjë e mundur, ky është mesazhi që do t’i përcillet njerëzimit nga Shqipëria në datat 6, 7 dhe 8 shtator. Mijëra njerëz të ardhur nga vende të ndryshme të botës, do të dëshmojnë dhe dëgjojnë mbi rëndësinë e paqes dhe të bashkëjetesës fetare.

“Personalitete të besimeve fetare, të politikës apo edhe të botës së kulturës do të thonë të gjithë bashkë nga Tirana se lufta gjithmonë mund të evitohet dhe lufta nuk është kurrë zgjidhja për asnjë lloj konflikti në botë. Ka shumë dhunë, terrorrizëm, vdekje, shumë lajme të këqija që shfaqen çdo ditë në lajme, ne duam që të japim një lajm shumë të mirë pikërisht këtu nga Tirana që paqja është e mundur dhe është gjithnjë e mundur”, tha Alberto Quattruçi, sekretar i përgjithshëm i komunitetit të San’t Egidio.

Në prag të 20-vjetorit të përfundimit të luftërave ballkanike përfaqësuesit e komunitetit të San’t Egidios kanë zgjedhur Shqipërinë, edhe si vendi që një vit më parë u vizitua nga Papa Francesku.

“Ne kemi zgjedhur Shqipërinë për këtë takim mbarëbotëror, ku duam të japim këtë mesazh. Ky vit shënon 20-vjetorin e përfundimit të luftërave ballkanike. Gjithashtu, Shqipëria një vit më parë ,pikërisht në shtator u vizitua nga Papa Françesku , një vend i vogël më periferiku në Europë, por që ka një sinjifikacion të veçantë, sepse ne të San’t Egidios prej 20 vjetësh punojmë në shumë fusha sociale dhe njerëzore për të rindërtuar dialogun dhe paqen, dhe ky është një vend që edhe pse u shpall ateist, komunitetet fetare jo vetëm mbijetuan por edhe bashkëjetuan në formë tërësisht paqësore”, thotë Alberto Quattruçi.

Komuniteti i San’t Egidios që prej vitit 1986 e zhvillon këtë pelegrinazh paqeje, në vende të ndryshme të botës, për t’u kujtuar njerëzimit ndjesinë e paqes dhe bashkëjetesës fetare.

Top Channel