Dronët, avionë të vegjël të telekomanduar, çdo ditë e më shumë po kthehen në një problem shqetësues.

Në disa raste ata janë komanduar të fluturojnë shumë afër edhe me avionë pasagjerësh, por edhe helikopterë, madje edhe në hapësira ajrore ushtarake, kanë kryer misione vëzhgimi, kanë ndërprerë ngjarje sportive, gjithashtu kanë plagosur edhe njerëz.

Një rast konkret ishte edhe futja e një droni në stadiumin e Partizanit të Beogradit, në ndeshjen e ndërprerë Serbi-Shqipëri, megjithëse në ndërprerjen e saj ndikuan faktorë të tjerë.

Në disa shtete ka pasur edhe ndryshime të ligjit për sa i përket fluturimeve në hapësirat publike. “Kjo është një temë shumë e nxehtë. Përdoruesit e pa trajnuar nuk e kanë idenë e hapësirës ajrore dhe mund të kthehen në një problem serioz për këtë industri.”, thotë Gary Clayton kryetar i një shoqate që përfaqëson mira përdorues të avionëve komercial.

Kompania kineze “DJI” është krijuesi më i madhe i dronëve, duke pasur gati 80% të tregut. Drejtori i marketingut për Europën në këtë kompani, Kevin Gordon, tha se prodhimet e fundit të avionëve të telekomanduar kanë një numër të lartë elementesh sigurie.

“Ju nuk mund të mbani avionin tuaj në fluturim nëse bateritë janë drejt fundit. Nëse bateria shkon në 10%, atëherë pajisja automatikisht do të kthehet tek ju. Një tjetër element sigurie është edhe vendosja e një GPS në bord, si edhe një hartë për të ndaluar fluturimin në hapësirat e kufizuara ajrore. Kjo është gjetur si zgjidhje për të shmangur incidentet pranë aeroporteve. Është e rëndësishme që ne të mos i lejojmë njerëzit të fluturojnë në vende që janë të ndaluara”, ka thënë Kevin Gordon.

Por, ai shton se GPS-ja mund të shmanget lehtësisht nga përdoruesit nëse ata duan të bëjnë nja gjë të tillë. Më pas ai shton se “gjenerata e re e dronëve do të jenë shumë më të përparuar si në komandim, por edhe më të sigurt për të fluturuar, duke kompensuar gabimet e pilotit”, shton Gordon.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, numri i dronëve të shitur gjatë këtij viti është trefishuar, nga 238 në vitin 2014, në 650 këtë vit. Me interesin gjithnjë e në rritje të njerëzve për të disponuar një avion pa pilot, na duhet që të presim gjeneratën e re të dronëve për të qenë më të sigurt, të paktën kështu thotë kompania që i prodhon ata.

Top Channel