Verën e 10 viteve më parë bota zbuloi ambiciet e Google drejt celularëve. Kompania kaliforniane bleu Android, “mëmën” e sistemit operativ “mobile” që sot është në gati 80% të telefonëve të të gjithë botës me gati 1 miliard përdorues.

Android nisi në korrik të vitit 2005, por vetëm në 17 gushtin e atij viti lajmi i blerjes së tij nga Google u publikua duke zbuluar edhe ambicien e kolosit të internetit.

Android ishte një program kalifornian si shumë të tjerë që realizonte programe për celularë, dhe blerja e tij për një shifër rreth 50 milionë dollarë ishte për Google “biznesi më i mirë që kishte bërë”, siç dhe pranoi disa vite më vonë menaxheri kryesor i saj.

Një nga bashkëthemeluesit e Android, Andy Rubin, iu bashkua menjëherë skuadrës së Google, duke punuar për sistemin operativ deri më 2013-n, kur në vend të tij u emërua Sundar Pichai, sot shefi ekzekutiv i Google pas krijimit të kompanisë “Alphabet”. Rubin u largua nga Google vitin e kaluar për të krijuar laboratorin e tij të programimit.

Telefoni i parë i bazuar në Android erdhi në vitin 2008, i prodhuar nga HTC. Androidi e nisi nga një kuotë shpërndarjeje zero, krahasuar me iPhone, i cili doli më 2007-n dhe dukej se kishte nisur një aventurë konkurrence. Por sot, sistemi operativ lulëzon në 80% të tregut global, me 1 miliard përdorues aktivë.

Top Channel