Samsung ka bërë prezantimin zyrtar të dy aparateve më të reja Android: Galaxy S6 Edge+ dhe Galaxy Note 5. Të dy kanë ekrane prej 14,5 cm dhe do të dalin në shitje shumë më herët nga sa ishte parashikuar, apo nga tradita e gjeneratave të kaluara të tyre.

Njoftimi vjen pas 5 rënieve të njëpasnjëshme të të ardhurave të llogaritura në periudha tremujore për “Samsung Electronics”. Analistët thonë se popullariteti i telefonave të ndërmjetëm nga njëri version i vjetër te një më i ri nga rivalët kinezë, si dhe ndryshimi i Apple që ka hedhur në treg iPhone më të mëdha, ka goditur ndjeshëm kërkesat për pajisjet e ofruara nga Samsung.

Gjithsesi, kompania mbetet udhëheqëse botërore në lidhje me dërgesat e përgjithshme të telefonave inteligjentë. Prezantimi është bërë në një konferencë për shtyp të zhvilluar në Nju Jork, ndërkohë që kompania bëri me dije se edhe shërbimi i “portofolit inteligjent”, siç konsiderohet Samsung Pay – që lejon telefonat të kryejnë pagesa me karta krediti – do të nisë zyrtarisht më 20 gusht por vetëm për Korenë e Jugut.

Më 28 shtator, ky shërbim do të zgjerohet edhe me tregun e Shteteve të Bashkuara, e më pas do të hidhet në Britani dhe Spanjë, por në data të paspecifikuara.

Edhe Note 5, ashtu si versionet e mëparshme, vjen me risi sa i përket “lapsit” shkrues, që sipas vetë kompanisë është më i përshtatshëm për detyrat e produktivitetit. Por, telefoni i ri ka skaje metalike dhe një xham të zi, për t’i dhënë një ndjeshmëri më pozitive. Duke ndryshuar strategjinë, firma koreano-jugore nuk ka në plan të paktën për momentin, që një telefon Note 5 ta nxjerrë në qarkullim në Europë, një vendim që e justifikojnë me arsye marketingu, por që për analistët konsiderohet edhe si një gabim i madh. Ndryshe nga viti i kaluar, Note nuk do të ketë më version të ndërmjetëm “edge”.

E kundërta e saj, Galaxy S6 Edge+ është hedhur në treg për ata që duan një aparat telefonik me përmasa të ndërmjetme, mes një telefoni inteligjent dhe një tableti, por me anët e harkuara.

Shenja “plus (+)” në emrin e këtij aparati të ri i referohet faktit se ekrani i tij është 1,5 cm më i madh sesa versioni i kaluar dhe më rezistent ndaj gërvishtjeve. Kujtesa afatshkurtër është më e fuqishme tashmë, deri në 4 GB RAM, duke ndihmuar kështu në hapjen e shumë aplikacioneve njëkohësisht, por për këtë përdoret i njëjti procesor Exynos, si në të kaluarën. Ky version dallon nga S5 Plus, që kishte të njëjtat përmasa por me një procesor më të shpejtë sesa origjinali S5.

Aparatët e rinj kanë gjithashtu edhe disa tipare të reja: një buton në aplikacionin e kamerës që aktivizon “transmetimin live” që ofron pamje streaming 1080p HD në Youtube dhe dërgon ftesa ndaj të njohurve të përzgjedhur; si dhe suportojnë formatin UHQA, atë të audios me cilësi ultra të lartë.

Top Channel