Promovohen veprat e veprimtarit të njohur për çështjen kombëtare, Afrim Morina

07/08/2015 00:00

Veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Afrim Morina, ka promovuar këtë të premte në Prishtinë plot 18 vepra, të shkruara gjatë kohës kur vuante dënimin në burgjet e ish-Jugosllavisë, por edhe pas lirimit.

Seria e botimeve vjen me publicistikë, filozofi politike, letërsi, kujtime, mendime dhe anektoda. Teksa foli për krijimin e veprave të tij, Morina u emocionua kur tregoi se ka pasur edhe shumë vepra të tjera, dorëshkrimet e të cilave ia morën pushtuesit serbë gjatë kohës kur ishte në burg.

Gjatë promovimit, për librat e Morinës folën profesorë e studiues shqiptarë, duke vlerësuar përveç librit, edhe vet angazhimin e autorit në çështjen kombëtare.

Duke folur për librin “Shkapërderdhja e energjisë kombëtare”, profesori Haki Kasumi tha se, autori e ka zbërthyer në detaje formën – tashmë të njohur, – për bashkimin e të gjithë shqiptarëve.

“I thelluar gjithherë në idetë e bashkimit kombëtar, ai mundohet të zbërthejë dhe imponojë formën e mundshme dhe të drejtë të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare, përmes mundësisë tashmë të bërë publike në mesin e bashkëkombësve, bashkimin kombëtar të të gjithë shqiptarëve. Me argumente të prekshme e konkrete, ai mundohet të qortojë devijimet e qëllimta dhe të paqëllimta të politikës në hapësirën kombëtare”, tha Haki Kasumi, profesor.

Ndërsa për librin “Dosja e hapur” foli avokati Ruzhdi Gashi, i cili tha se, libri tregon përpjekjet e popullit shqiptar për çlirimin nga pushtues të ndryshëm.

“Nga përmbajtja e librit ‘Dosja e hapur’ shihet se, çdo shqiptar e ka pasur dosjen e hapur nga pushtues të ndryshëm, që kanë sunduar në vendin tonë. Edhe emërtimi ‘Zot Kulla’ e ka një domethënie gjithashtu shumë të rëndësishme. Për shqiptarët, dihet se kulla është një vend ku ata rezistojnë, banojnë, e ku qëndrojnë shqiptarët. Nga ku kanë rezistuar në forma të ndryshme, deri edhe te lufta e armatosur”, tha Ruzhdi Gashi, recensent i librit.

Një ndër organizatorët e protestave të 1 Tetorit 1997, veprimtari dhe ish-i burgosuri politik Afrim Morina ka qenë edhe kryetar i partisë së Unitetit Kombëtar Shqiptar në vitet 1996-2000, menjëherë pas arrestimit të kryetarit të kësaj partie, veprimtarit Ukshin Hoti.

Top Channel