Kosova nënshkruan marrëveshjen financiare vjetore me BE

07/08/2015 00:00

Ministri për Integrimin Evropian, Bekim Çollaku ka nënshkruar marrëveshjen financiare vjetore mes qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit, IPA.

Në emër të Bashkimit Evropian, kjo marrëveshje është nënshkuar nga drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Jean Eric Paquet. Mbështetja financiare e këtij programi në total është 66.050.000 euro.

Në kuadër të tij do të mbështeten sektorët në vijim: demokracia dhe qeverisja, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore të njeriut; energjia; konkurrenca dhe inovacioni; bujqësia dhe zhvillimi rural.

Projektet e para do të fillojnë së zbatuari në fillim të vitit 2016. Sa i përket demokracisë dhe qeverisjes, fokus i veçantë do t’i kushtohet përpjekjeve për përmirësimin e administratës publike.

Programi do të mbështesë gjithashtu shoqërinë civile në ngritjen e efikasitetit dhe të pjesëmarrjes së saj në procesin e politikëbërjes. Gjithashtu, programi do të ndihmojë në përmirësimin e kapaciteteve të Kuvendit të Kosovës.

Top Channel