Specialja, ekspertët mbështesin opozitën: Dyshimet në Kushtetuese

06/08/2015 00:00

Njohësit e çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu dhe Xhavit Shala i kanë dhënë të drejtë opozitës që dyshimet e saj për miratimin e Gjykatës Speciale t’i adresojë në Gjykatën Kushtetuese.

Ata kanë deklaruar për gazetën “Epoka e Re” se, në këtë proces mund të ketë pasur ndonjë shkelje proceduriale.

Megjithatë, ekspertët shprehen se, kjo përpjekje e opozitës vështirë se do të ketë sukses.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se, pas votimit në Kuvend që i hapi rrugë themelimit të Gjykatës Speciale ka marrë urime nga liderë të gjithë botës.

Thaçi është shprehur se ky veprim është dëshmi e partneritetit afatgjatë mes Kosovës dhe botës demokratike.

“Pak orë pas votimit të Gjykatës Speciale mora një telefonatë nga Hoyt Brian Yee, zëvendës asistent i sekretarit të Shtetit në SHBA. Yee më përgëzoi për punën e gjatë të përbashkët dhe rezultatet e arritura që çimentuan aleancën me Amerikën. Urime të tilla kam marrë po atë ditë edhe nga liderë e homologë nga Roma, Berlini, Parisi, Londra, Oslo dhe Brukseli. Dëshmi e qartë kjo e partneritetit afatgjatë mes Kosovës dhe vendeve demokratike”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook.

Top Channel