Forcat e Armatosura të Kosovës, AAK: Dështimi, jo për shkak të partive opozitare

05/08/2015 00:00

Departamenti për Politikat e Mbrojtjes dhe të Sigurisë (DPMS) i AAK-së kritikon veprimet e Qeverisë dhe pretendimet e zv.kryeminsitrit Thaçi se, fajtore për dështimin e krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK) janë partitë opozitare.

“E vërteta është ndryshe”, thuhet në një deklaratë nga kjo parti.

“AAK-ja, jo vetëm që nuk mund të cilësohet përgjegjëse për këtë dështim, por përkundrazi duhet të vlerësohet për këmbënguljen e saj të vazhdueshëm, që FAK-u të krijohej që në mandatin e shkuar.

Për hir të informimit të saktë të opinionit publik, AAK, respektivisht Departamenti i saj për Poltikat e Mbrojtjes dhe të Sigurisë, ka kërkuar në vazhdimësi që të procedohej me urgjencë ligji për FAK-un.

Janë disa dhjetëra këmbëngulje të AAK-së, ku është sugjeruar të procedohej projektligji për Forcat e Armatorsura të Kosovës në Kuvend. Kuvendi do të duhej ta procedonte, e pastaj të akuzoheshin ose jo partitë opozitare, e posaçërisht AAK-ja për këtë dështim.

Akuzat e tilla të pabaza janë të papranueshme. Mbetja e kësaj çështjeje për sesionin e vjeshtës do t’i komplikojë gjërat edhe më shumë, duke e trimëruar “Listën Serbe”, që të bllokojë krijimin e ushtrisë së Kosovës”, thuhet në deklaratën e AAK-së.

Partia opozitare e kryesuar nga Ramush Haradinaj, ish-kryeministër, ka bërë të ditur në fund se “Qeveria e humbi sensin strategjik për të themeluar FAK-un”.

Top Channel