Specialja, shefi i Task Forcës: Të vijohet me hapat e tjerë

04/08/2015 00:00

I inkurajuar nga votimi i djeshëm i Parlamentit të Kosovës pro Gjykatës Speciale, kryeprokurori i Task Forcës Investigative të BE ka deklaruar këtë të martë se procesi për krijimin e Prokurorisë dhe Dhomave Speciale nuk është ende i plotë.

Në një komunikatë për shtyp, David Schwendiman ka vlerësuar se hapa të mëtejshëm duhet ende të ndërmerren në mënyrë që Kosova të jetë një hap larg trajtimit “njëherë e përgjithmonë” të akuzave serioze që përmban raporti i Këshillit të Evropës, i miratuar në janar 2011.

“Për këtë arsye, ne inkurajojmë të gjithë aktorët e përfshirë që të vijojnë përpjekjet e tyre në mënyrë që ky mekanizëm gjyqësor të jetë funksional sa më shpejt të jetë e mundur”, ka deklaruar prokurori amerikan.

Ai thekson në përfundim të qëndrimit të tij se, “Ligji, Prokuroria dhe Dhomat e specializuara janë ato që na nevojiten për të çuar gjërat drejt nivelit të ardhshëm”.

Schwendiman mori detyrën e drejtimit të Taks Forcës në dhjetor 2014, pas një shërbimi disavjeçar të kryer në Kabul.

Gjithashtu, ai ka qenë prokuror ndërkombëtar në Departamentin Special për Krime Lufte në Prokurorinë e Bosnjes gjatë periudhës 2006-2009.

Më herët Schwendiman ka përfaqësuar Departamentin amerikan të Drejtësisë në tre lojra olimpike, nga viti 2000 në Sidnej deri në ato të vitit 2004 në Athinë. 

Top Channel