Gjykata Speciale, ja si lindi ideja e krijimit në 2010-n dhe rruga e ndjekur

03/08/2015 00:00

Gjykata Speciale nisi rrugëtimin e saj para 5 vitesh, në vitin 2010, kur opinioni kosovar po tronditej nga hipotezat se pjesëtarët e UÇK-së kishin kryer krime kundër civilëve serbë, në kundërshtim me rregullat e luftës, përfshi edhe trafik organesh.

Figura e ish-kreut politik të UÇK-së, Hashim Thaçi, zuri vend në faqet e gazetave ndërkombëtare, i përfolur si shefi i grupeve mafioze për kontrabandim armësh, droge dhe organesh njerëzore në të gjithë Europën Lindore. Këto akuza i bëri senatori zviceran, Dick Marty, në raportin e tij për trafikun e organeve nga ana e UÇK-së, i miratuar fillimisht në Komitetin parlamentar të Asamblesë së Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, në Paris më 16 dhjetor 2010. Këtu nisi thirrja për një hetim të paanshëm ndërkombëtar.

Prishtina zyrtare i cilësoi këtu akuza të padrejta, të pavërteta dhe të fabrikuara nga Serbia e Rusia, për të dëmtuar luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Kryeministri i asaj kohe, Hashim Thaçi paralajmëroi padi kundër senatorit Maarty.

Por, shumë shpejt këto akuza morën formën zyrtare e institucionale të trajtimit. Më 25 janar të vitit 2011, Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës miratoi rezolutën për raportin e Dick Martyt, me shumicë votash, duke kërkuar hetime për trafikimin e organeve në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë. Vetëm 8 vota ishin kundër, ndërsa mbeti i padëgjuar zëri i deputetëve shqiptarë në asamble, të cilët e kundërshtuan këtë raport.

Autoritetet shtetërore në Kosovë e Shqipëri reaguan sërish kundër këtij raporti, ndërsa kryeminsitri i asaj kohe, Hashim Thaçi iu drejtua me një letër Këshillit të Europës, ku shprehte gatishmërinë e Kosovës për t’u ballafaquar me procesin hetimor.

Vlerësime të ndryshme nga politikanë e ekspertë dolën në atë kohë, por pakkujt i shkoi në mendje se Kosova do të duhej të niste procedurat për themelimin e një gjykate speciale, ekuivalente me Tribunalin e Hagës, por që do të merrej vetëm me krimet e supozuara të UÇK-së.

Ndërsa presioni ndërkombëtar për hetim të pavarur po shtohej, në të njëjtën kohë EULEX-i nuk ishte në gjendje ta merrte këtë përgjegjësi, rrjedhimisht një “Task Forcë” hetimore speciale u vendos në vitin 2011 nga Bashkimi Europian, me autonomi të plotë në punën e saj, me seli në Bruksel.

Në krye të “Task Forcës” u vu prokurori amerikan Clint Williamson. Atij iu deshën afërsisht 3 vite për t’i përfunduar hetimet me prova bindëse, siç ka thënë, për të ngritur aktakuzë kundër disa ish-zyrtarëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për krimet e lidhura me pretendimet që paraqiten në raportin e Këshillit të Europës.

Emrat e të akuzarve nuk dihen, por është zyrtare se, prova për aktakuzë lidhur me trafik organesh nuk janë gjetur. Në raportin përfundimtar, të shpallur më 29 korrik 2014, Williamson, teksa publikonte rezultatet, paralajmëroi krijimin e një gjykate të veçantë e të pavarur, që do të vendoste mbi aktakuzën në drejtim të pjesëtarëve të UÇK-së.

“Për sa u përket krimeve, për të cilat TFHS-ja posedon prova që mund të paraqiten në gjyq, ngritja e një aktakuze nuk do të ndodhë derisa nuk vendoset Gjykata Speciale, që është e paracaktuar për të dëgjuar këto lëndë. Shpresoj që kjo të vendoset në pjesën e parë të vitit që vjen”, – tha Williamson gjatë paraqitjes së raportit në korrik të 2014-s.

Krijimi i Gjykatës Speciale arsyetohej me faktin se, krimet e kryera pas luftës kishin mbetur të pagjykuara nga Tribunali i Hagës, sepse juridiksioni i tij nuk lejonte ndjekjet penale pas luftës. Kështu, referuar prokurorit amerikan, ky proces mbush boshllëkun e mbetur nga kufizimet juridike të Tribunalit të Hagës.

“E padrejtë” është fjala kryesore, që përdoret nga autoritetet kosovare për krijimin e kësaj gjykate, por që rruga iu hap me argumente si “ të dëshmohet lufta e pastër e UÇK-së”.

Meqenëse për këtë duhej ndryshuar Kushtetuta e Kosovës, baza e parë ligjore u krijua me miratimin që i bëri Kuvendi i Kosovës vazhdimit të mandatit të EULEX-it, që u paraqit si marrëveshje ndërkombëtare. Në pak kohë, deputetët votuan më 23 prill 2014 edhe letërkëmbimin e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, me shefen e Diplomacisë europiane, Catherine Ashton, për krijimin e Gjykatës Speciale. Në letrën e saj, Jahjaga ofron gatishmërinë për – siç thotë, – sigurimin e një mjedisi të përshtatshëm për administrimin e duhur të drejtësisë.

“Në pajtim me këtë, një gjykatë e specializuar brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, si dhe një zyrë e specializuar prokurorie, do të shfrytëzoheshin për procedurat gjyqësore dhe ato të apelit, që dalin nga hetimet e SITF”, shkruhet në letrën e Presidentes Jahjaga për shefen e Diplomacisë europiane.

Pak më shumë se një vit ka kaluar nga koha, kur deputetët i hapën udhë krijimit të Gjykatës Speciale. Subjektet opozitare e kundërshtojnë krijimin e saj, me argumentet se cënohet integrieti i autonomisë së drejtësisë dhe dëmtohet lufta e UÇK-së për liri.

Argumentet kundër nuk kanë kthyer prapa institucionet e Kosovës, pasi alternativa e vetme e prezantuar është se, Gjykatën Speciale do ta krijojë Këshilli i Sigurimit, një hap ky që – siç është thënë, – dobëson shtetësinë e Kosovës.

Sot, Kushtetuta e Kosovës mban brenda Gjykatën Speciale në nenin e fundit të saj, por shqiptarët e vetëm me qasje në gjykatë janë të akuzuarit. Pjesa tjetër i takon ndërkombëtarëve, të cilët një pjesë të punës do ta kryejnë në Kosovë, e pjesën tjetër në Holandë.

Top Channel