Gjykata Speciale e Kosovës, Mustafa: Të jemi të bashkuar; Opozita: Po bëni marrëzi

03/08/2015 00:00

Ka nisur seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës, ku pritet votimi për Gjykatën Speciale. Grupet parlamentare opozitare dorëzuan kërkesën në administratën e Kuvendit, ku kërkuan që si pikë e parë e rendit të ditës në seancë të futej rezoluta për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë, por nga 102 deputetë të pranishëm në sallë, 55 votuan kundër, 44 pro dhe 5 abstenuan, duke bërë që kjo rezolutë të mos futej në rend dite.

Ndërsa kryeministri Isa Mustafa, në fjalën e tij në këtë seancë, ka shprehur edhe njëherë qëndrimin zyrtar të qeverisë së Kosovës.

“Kushtetuta nuk e pengon qeverinë që të riprocedojë të njëjtat amendamente”, ka thënë ai.

Sipas Mustafës, zbardhja e së vërtetës është një sfidë me të cilën Kosova duhet të ballafaqohet si vend.

“Themelimi i Gjykatës Speciale është gjithashtu kërkesë e partnerëve ndërkombëtare. Kosova nuk mund të zhvillohet e izoluar”, ka vijuar Mustafa.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj u ka bërë thirrje deputetëve që, “të mos biem në grackë sepse po ndërtohet një gjykatë vetëm për Kosovën”.

“Të bëhet një gjykatë me gjykatës nga Kosova dhe të hetohen ata që dyshohen”, ka sugjeruar Haradinaj.

Nga Vetëvendosje, deputeti Glauk Konjufca ka kritikuar ashpër koalicionin qeverisës që miratoi rezolutën që dënon krimet e UÇK-së.

“U miratua një rezolutë që dënon krimet e UCK-së dhe nuk u votua një rezolutë për krimet e Serbisë. Nuk mund të dënohen çlirimtarët para se të dënohen agresorët”, ka deklaruar Konjufca.

Ai ka akuzuar mazhorancën se po shpërfill opozitën, që përfaqëson një pjesë dërrmuese të popullsisë.

“Kjo është diktaturë parlamentare. Gjykata Speciale është sekondare në raport me arkitekturën e shtetndërtimit të Kosovës”, ka thënë Konjufca. 

Top Channel