New Horizons me një procesor të PlayStation

17/07/2015 00:00

Sonda New Horizons që ka bërë fotot e Plutonit ushqehet nga i njëjti procesor i PlayStation-it të parë, të dalë në treg në vitet ’90. Lajmi befasues është bërë i ditur nga The Verge.

Sipas faqes teknologjike, NASA ka përdorur një “CPU MIPS R3000” të montuar në pajisjen origjinale të Sony-t dhe që ka nxjerrë lojëra popullore si Final Fantasy.

New Horizons u lançua në vitin 2006 dhe të mërkurën përmbushi misionin e tij duke iu afruar Plutonit. Procesori “vintage” i ka dhënë mundësi sondës të udhëtojë për nëntë vjet, duke përshkruar 5 miliardë kilometra, duke i dhënë energji propulsorëve, monitorimit të sensorëve dhe transmetimit të të dhënave.

Procesori “MIPS R3000” i PlayStation është modifikuar për t’i rezistuar më mirë rezatimeve hapësinore, thotë The Verge. NASA pas testeve të ndryshme dhe provave të stimulimit e ka quajtur si procesorin më të mirë. Kjo nuk është hera e parë që agjencia hapësinore amerikane bën një zgjedhje të tillë. Edhe anija kozmike Orion, ajo që një ditë mund të na çojë në Mars, ka një procesor të fabrikuar nga IBM në 2002.

Top Channel