Në bazë të përdorimit të telefonit, rregullimeve që bëjmë dhe që kapen nga GPS, mund të kuptojmë nëse jemi në depresion.

Ky është përfundimi i një studimi të Northwestern Medicine, sipas të cilit falë celularit mund të zbulojmë shenja të depresionit.

Për ekspertët, për shembull, sa më shumë kohë të kalojmë në telefon, aq më e madhe është mundësia që të jemi në depresion. Një e dhënë tjetër është ajo që bëjmë gjatë ditës: të rrish shumë në shtëpi është një shenjë sëmundjeje.

Një njeri në depresion, thuhet në studimin e publikuar në “Journal of Medical Internet Research”, kalon 68 minuta në ditë në telefon, gjatë së cilës shmang mundësinë e të menduarit të gjërave që nuk shkojnë. Ndërsa një person që nuk është në depresion kalon vetëm 17 minuta në telefon.

Shenjat e depresionit mund të kapen edhe nga GPS i smartphone-it, që na tregon nëse një person kalon më shumë kohë në shtëpi apo në pak vende, duke treguar tendencën e izolimit dhe mungesën e motivimit dhe energjive për të dalë.

“Mund të zbulojmë nëse dikush ka simptoma depresioni dhe shkallën e këtyre simptomave pa i bërë pyetje. Tashmë kemi një matje objektive të sjelljes së lidhur me depresionin. Dhe po e zbulojmë hap pas hapi. Telefonat janë në gjendje të na japin të dhëna sekrete pa asnjë sforcim nga ana e përdoruesve”, shpjegon një prej autorëve të studimit, David Mohr. Studiuesit kanë monitoruar 28 persona, gjysma e të cilëve ishin me simptoma depresioni.

Top Channel