NASA ka publikuar imazhet e para nga planeti i Plutonit, të kapura nga sonda New Horizons që hyri në histori për eksplorimin e këtij planeti.

Nga ato kuptohet se Plutoni ka male të bëra prej akulli, të cilat janë shumë të larta. Po ashtu, këto imazhe tregojnë shenja të aktivitetit gjeologjik mbi Plutonin dhe hënën Charon.

NASA gjithashtu ka njoftuar se zona, tashmë e famshme, në formë zemre e Plutonit ka një emër. Ata e kanë emërtuar atë pjesë me emrin e astronomit amerikan Clyde Tombaugh, i cili u tregoi njerëzve për ekzistencën e këtij planeti në vitin 1930.

Fotot u dërguan në tokë mbrëmjen e së mërkurës, ndërsa pritet të dërgohen më shumë të dhëna në lidhje me planetin “xhuxh”, por edhe për hënën e tij kryesore Charon, si dhe nga Hydra e Nix, që janë më të vogla.

NASA thotë se me shumë gjasa këto vargmale janë krijuar jo më shumë se 100 milionë vjet më parë dhe janë cilësuar të reja duke pasur parasysh moshën 4.56 miliardë vjeçare të sistemit tonë diellor. Jeff Moore, zyrtar i NASA-s  thotë se këto male mund të jenë ende në proces ndërtimi.

Rreth 5 miliardë, kilometra larg nga toka, sonda New Horizons e NASA-s dërgoi sinjale për herë të parë mbrëmjen e së martës, përmes një “pjate gjigante” në Madrid, kryeqytetin e Spanjës, që është pjesë e rrjetit të antenave të komunikimit të NASA-s, mbrëmjen e së martës.

Lajmi është konfirmuar nga drejtuesja e këtij misioni, Alice Bowman, që ka thënë se ndjehet shumë e emocionuar, ndërsa ka konfirmuar se të dhënat e para për Plutonin janë pranuar nga qendra e NASA-s.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel