29 korriku, data zyrtare e shumë pritur kur Microsoft do të nxjerrë Windows 10, është afër dhe kompania bën të ditur se do të ketë festime të mëdha.

Festimet do të jenë në të gjithë botën dhe do të përfshijnë 13 qytete, që nga Nju Jorku në Tokio dhe në Europë në Berlin, Londër dhe Madrid, me evente ku përdoruesit mund të takohen me ekspertë të kompanisë. Lajmërimi bëhet i ditur nga vetë kompania, në blogun e saj.

Edhe dyqanet e Microsoft do të festojnë ardhjen e Windows 10 me aktivitete dhe demostrime për përdoruesit. Kompania e themeluar nga Bill Gates, dhe për momentin në drejtimin e Satya Nadella, shpjegon se njëkohësisht do të dalë një fushatë gjigante reklamimi, nga 20 korriku në SHBA dhe nga 29 korriku në të gjithë botën, me spote televizive dhe online. Hashtagu për këtë event është #UpgradeYourWorld.

Windows 10 do të vijë në 190 vende, përfshirë edhe Italinë, me një debutim gradual në treg, duke nisur nga “insider” që janë pesë milionë persona që kanë kontribuar në realizimin e platformës më testet e tyre. Sistemi i ri operativ do të jetë falas për ata që tashmë kanë Windows 7 dhe 8.1.

Top Channel