Hashim Thaçi nuk lejohet të shkojë në Srebrenicë

10/07/2015 00:00

Zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk i është lejuar që të udhëtojë për në Srebrenicë.

Me anë të një postimi në “Facebook”, ai e ka bërë të ditur këtë fakt, duke thënë se nuk është lejuar, pasi është person i padëshirueshëm nga Republika Srpska.

“Përkundër ftesës zyrtare dhe vizës së rregullt të lëshuar nga autoritetet e Bosnjës e Hercegovinës, në momentet e fundit nuk u lejova të udhëtoj për të marrë pjesë në komemoracionet në Srebrenicë, me arsyetimin se jam person i padëshirueshëm nga Republika Srpska”, ka shkruar Thaçi.

Megjithatë, ai thotë se “Kosova dhe populli i saj me zemër e me mendje jenë me familjet që sot më në fund i varrosin familjarët e tyre që të prehen në paqe dhe me të tjerët që i përkujtojnë etërit, vëllezërit, bijtë e humbur në këtë tmerr”.

“Kështu sot shënojmë 20-vjetorin e gjenocidit të forcave serbe në Srebrenicë dhe 16 vjetorin e gjenocidit të shtetit serb në Kosovë. Populli i Kosovës gjithmonë do të jetë përkrah atyre që promovojnë lirinë, barazinë, drejtësinë dhe pajtimin”, përfundon postimi i Thaçit në “Facebook”.

Top Channel