CAS: Nuk gjetëm prova që Shqipëria refuzoi të riniste lojën

10/07/2015 00:00

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka publikuar vendimet e saj për të dy apelet që kanë shkuar në adresë të këtij institucioni, pas ndeshjes së ndërprerë në mes të Serbisë dhe Shqipërisë më 14 tetor 2014, e vlefshme për eliminatoret e Europianit 2016.

Federata Shqiptare e Futbollit dhe ajo e Serbisë kishin paraqitur ankesat e tyre në lidhje me vendimin e organit të Apelit të UEFA-s, e cila kishte dënuar të dy federatat për incidentet në fushën e lojës.

Pretendimet e të dyja palëve, përmes avokatëve të tyre, ekspertëve dhe dëshmitarëve, janë dëgjuar në dy seanca të ndryshme të mbajtura më 16 dhe 17 prill në Lozanë të Zvicrës nga trupi gjykues i CAS-it.

CAS-i ka mbështetur pjesërisht ankesën e paraqitur nga Federata Shqiptare e Futbollit, kundër vendimit të organit të Apelit të UEFA-s marrë më 2 dhjetor 2014, në të cilën u konfirmua vendimi i marrë nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës së UEFA-s.

Në arsyetimin e vendimit të organeve të UEFA-s thuhej se Shqipëria ka humbur ndeshjen, pasi ka refuzuar të rikthehet në fushë dhe të rifillojë ndeshjen që u ndërpre në minutën e 41-të, pasi tifozët serbë hodhën në fushë fishekzjarre. Gjatë këtij momenti, kur ndeshja ishte ndërprerë, rreth 15 tifozë serbë hynë në fushë dhe dhunuan lojtarët shqiptarë.

Megjithatë, paneli i CAS nuk gjeti prova që tregojnë se Shqipëria ka refuzuar që të luajë ndeshjen, apo ka refuzuar të zbatojë një urdhër të gjyqtarit. Paneli i CAS nuk ishte në gjendje që të konstatonte nëse gjyqtari ka lëshuar një urdhër të qartë, të drejtpërdrejtë dhe të pakushtëzuar ndaj lojtarëve për të rifilluar ndeshjen, një vendim që duhej të vinte në bazë të faktit nëse kishte garanci për sigurinë e lojtarëve.

Paneli konstatoi se deri të ndërprerja e ndeshjes dhe braktisja e saj ka ardhur për shkak të dështimit të organizimit të ndeshjes nga ana e organizatorëve dhe dhuna e ushtruar mbi lojtarët shqiptarë nga tifozët serbë dhe, të paktën, një punonjës sigurie. 

Duke parë këto fakte, paneli konsideron që Federata Serbe e Futbollit, dhe jo Federata Shqiptare, duhet të konsiderohet përgjegjëse për mos zhvillimin e plotë të ndeshjes, duke shkelur nenin 27.01 të Rregullores së Kampionatit Europian të Futbollit 2014-2016. Nën këtë konstatim, trupa gjykuese e CAS ka vendosur që ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë e Grupit I, e vlefshme për eliminatoret e Europianit 2016, duhet të regjistrohet me humbjen e Serbisë me rezultat 0:3.

CAS lë në fuqi vendimin e marrë nga UEFA, se Federata Shqiptare e Futbollit është përgjegjëse për dronin që fluturoi mbi stadium, që mbante një flamur me simbole nacionaliste dhe patriotike shqiptare, duke konfirmuar gjobën prej 100.000 euro për FSHF-në.

Ndërkohë, në lidhje me ankesën e paraqitur nga Federata Serbe e Futbollit, CAS e ka hedhur poshtë, duke konfirmuar vendimet e marra nga organi i Apelit të UEFA-s, më 2 dhjetor 2014. Prandaj, sanksionet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës dhënë më 23 tetor 2014 mbeten në fuqi, përkatësisht:
i) Federatës serbe i hiqen tre pikë për eliminatoret e Europianit 2016
ii) Federata serbe urdhërohet të luajë dy ndeshjet e ardhshme si vendas me dyer të mbyllura
iii) Federata serbe gjobitet me 100.000 euro

Top Channel