Bliive: Ja si mund të punosh me Time Money

10/07/2015 00:00

Maritza Reboucas punon deri vonë në shtëpinë e saj në Sao Paulo. Ajo mëson teknikat e frymëmarrjes nëpërmjet Skype, për dikë që ka takuar online disa minuta më parë. Ajo ndihmon njerëzit me probleme shëndetësore, si ankthi apo stresi.

Ajo është një trajnuese profesionale e jogas dhe “paguhet” rreth 30 paund për seancë. Dhe sigurisht nuk është e vështirë të gjejë klientë. Megjithatë, Maritza nuk merr as realë brazilianë (monedha vendase), as dollarë dhe as paund. Ajo paguhet me një monedhë virtuale të quajtur Time Money.

Ajo është një prej 100 mijë përdoruesve të Bliive. Kjo faqe duket si një platformë rrjeti social. Përdoruesit e saj shesin shërbime, përfshirë edhe mësime kitare, riparime kondicioneri, leximin e letrave Tarot pa para apo transaksione bankare. Për çdo orë shërbimi përdoruesit marrin Time Money, me të cilin blejnë një shërbim tjetër.

Maritza ka marrë si shpërblim për rreth 40 orë shërbime. Me kaq Time Money ajo mund të krijojë faqen e saj në internet për teknikat e frymëmarrjes. “Më kanë thënë se të paguash dikë për të ndërtuar një faqe interneti nuk është e lirë. Por unë ia dola duke gjetur të tjerë persona në Bliive që mund të më ndihmojnë”, thotë Maritza. Çdo person ofron ndihmën e tij nëpërmjet një ore shërbim, dhe njerëzit shkëmbejnë Time Money duke vlerësuar dhe dhënë komentet e tyre për shërbimin që u është ofruar.

Bliive është themeluar një vit e gjysëm më parë nga Lorrana Scarpioni, 24 vjeçe, një studente për marrëdhëniet me publikun. Tashmë ajo punëson dhjetëra njerëz në Sao Paulo.

Kjo ide i kishte ardhur pasi kishte parë disa dokumentarë në lidhje me ekonominë dhe valutat alternative. “Bliive është një rrjet bashkëpunues për shkëmbimin e kohës. Ne e shohim këtë platformë si një lëvizje që u tregon njerëzve vlerën e vërtetë të shkëmbimeve dhe si të ecin përpara vetë në këtë mënyrë”, thotë Lorrana.

Top Channel