Pas Tiranës, Merkel në Beograd: Dialogu me Kosovën, me ndikim në procesin e integrimit

08/07/2015 00:00

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si rrallë herë ishte i buzëqeshur në pritjen e kancelares, Angela Merkel. Një nga figurat me të rëndësishme për të dhe për Serbinë, Merkel, lavdëroi politikën e Serbisë, reformat ekonomike, por edhe bashkëpunimin në rajon.

Takimet me kryeministrin Edi Rama, por edhe progresin në marrëdhëniet me Kosovën, i quajti një sukses që do të vlerësohet pozitivisht nga Berlini.

“Sa i përket Kosovës, Serbia ka treguar gatishmëri të madhe për kompromis, në mënyrë që rajoni të jetë më i qëndrueshëm. Por, kjo ekziston edhe sa u përket marrëdhënieve me Shqipërinë. Gjermania e vlerëson këtë dhe do të këtë ndikim në hapjen e kapitullit të parë për integrim”, tha Merkel.
 
Kryeministri serb tha se Serbia është e gatshme për një bashkëpunim me rajonin.

“Kemi një politikë paqeje në Ballkan. Kam njoftuar zonjën Merkel se sot kemi marrë përgjigjen përfundimtare nga Edi Rama lidhur me propozimin tonë për shkëmbimin e të rinjve, që ka ardhur nga takimi i 28 gushtit të vitit të kaluar kur Merkel organizoi takimin e parë. Jo vetëm me Edi Ramën, por edhe më të tjerë presim nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla”, u shpreh Vuçiç.
 
Merkel do të takohet me Presidentin serb, Tomisllav Nikoliç, ndërsa pritet të vizitojë edhe Sarajevën, vetëm pak ditë para përvjetorit të masakrës së Srebrenicës.

Top Channel