Shumë shpejt do të keni mundësi të dërgoni mesazhe më të gjata në Twitter. Kompania ka njoftuar se planifikon të heqë limitin prej 140 karakteresh për të shkruar një mesazh direkt.

Twitter ka njoftuar se ky kufizim do të hiqet këtë muaj, por nuk kanë specifikuar datën. Ndërkohë, kompania ka njoftuar gjithashtu që nuk do ketë ndryshime për “tweet”-et, pasi ato do vazhdojnë të jenë të limituara.

“Duhet të jemi të qartë që kufizimi do të hiqet vetëm për mesazhet direkte, pasi ‘tweet’-et do të jenë njësoj, të limituara në 140 karaktere. Ndërsa në mesazhe direkte përdoruesit do të kenë mundësi të shkruajnë më gjatë”, është shprehur zëdhënësi i Twitter.

Ndryshimet e fundit u bashkohen risive të shumta që kompania ka aplikuar për mesazhet direkte në vitin e fundit.

Në janar u njoftua se në Twitter do të keni mundësi të krijoni mesazhe në grup, ndërsa gjithashtu mund të merrni mesazhe edhe nga dikush që nuk e ndiqni ose nuk ju ndjek.

Top Channel