Punonjësit e Apple kanë ngritur një padi kundër kompanisë së tyre për kontrollet, që i vlerësojnë si poshtëruese.

Sipas mediave amerikane, bëhet fjalë për një padi të ngritur nga një grup punonjësish të të paktën dy dyqaneve të Apple në Nju Jork.

Shqetësimi i punonjësve është kontrolli i shërbimeve të sigurisë. Si praktikë, Apple ka vendosur që të kontrollohet imtësisht çdo punonjës kur del jashtë dyqanit për çdolloj arsye.

Kjo praktikë cilësohet poshtëruese për punonjësit që kanë dorëzuar në gjykatë një kërkesë që të kufizohet kontrolli fizik.

Po sipas mediave amerikane, kreu i Apple, Tim Cook është zënë në befasi nga kjo çështje, madje ai nuk ishte fare në dijeni të një praktike të tillë. Mësohet se në një e-mail shpërndarë për menaxherët kryesorë të shitjeve, ka kërkuar të dijë nëse vërtet ekziston kjo praktikë.

Rasti rrezikon të shndërrohet në një nga ato raste që cilësohen si tipike, megjithëse një vit më parë, Gjykata Supreme në SHBA i dha të drejtë kompanisë Amazon pas padisë së një punonjësi të kësaj të fundit po për “kontrolle poshtëruese”.

Top Channel