Kompania japoneze “Yaskawa Electric” është duke u përgatitur të festojë ditëlindjen e 100-të me një robot samurai. Përmes një videoje, roboti samurai është prezantuar duke sfiduar mjeshtrin Isao Machii, që mban edhe disa rekorde Guinness.

Në të vërtetë, për ta krijuar këtë robot, kompania ka analizuar lëvizjet e Machiit, ndërsa ato ia ka bartur këtij roboti. Megjithatë, kompania ka ftuar mjeshtrin Machii në një sfidë me robotin e tyre.

Ata kanë garuar në katër dimensione, ku me shpatën e famshme japoneze “katana”, kanë provuar prerjet horizontale, vertikale dhe diagonale.

Në fund, roboti ka sfiduar direkt Machiin se kush bën më shpejtë 1000 prerje, dhe pavarësisht një nisje të ngadaltë të robotit, ai ka arritur të rikuperojë në kohë, derisa mjeshtri Machii ndalonte për të pushuar pak sekonda.

Në një deklaratë të kompanisë “Yaskawa Electric” thuhet se me këtë projekt, ata dëshirojnë që të ngrenë në një tjetër nivel aftësinë e robotëve, ndërsa roboti i quajtur “Samurai Motorman” është pjesë e festimeve për 100-vjetorin e kompanisë.

Top Channel