Njëri nga njerëzit më me ndikim në Google, Ray Kurzweil, që është përgjegjës për sektorin e tekonologjisë, ka bërë një deklaratë të pazakonshme në konferencën “Exponential Finance” në Nju Jork.

Sipas tij, në vitin 2030 njerëzit mund të lidhin trurin e tyre në mënyrë direkte me internet. Kjo do të bëhet e mundur përmes nanorobotëve, të cilët janë krijuar nga fijet e ADN-së.

“Mendimet tona do të jenë hibride, pra do kemi mendime biologjike dhe jobiologjike. Kështu, gradualisht jemi duke përmirësuar veten. Në pikëpamjen time, kjo është natyra e njeriut, të kapërcejë limitet e veta”, ka thënë Kurzweil.

Ray Kurzweil është bërë i famshëm për parashikimet e tij në fushën e teknologjisë. Në vitin 1990 ai kishte bërë rreth 150 parashikime për vitin 2009, ndërsa në 2010-n, u vërtetua se parashikimet e tij ishin 86% të sakta.

Ai kishte parashikuar që në vitin 2009 njerëzit do të përdornin kompjuterë portativë, fishat do të bëheshin të papërdorshme, ndërsa ekranët e kompjuterëve do të mund të shfaqeshin edhe në syzet e njeriut.

Po ashtu, Kurzweil kishte parashikuar që në 2009-n do të ketë edhe makina pa pilot, por në të vërtetë kjo u realizua disa vite më vonë.

“Nëse do të kisha thënë që në vitin 2015 do kishim makina pa pilot, prapë nuk do kisha qenë shumë i saktë, sepse ende nuk ka një përdorim të gjerë”, është shprehur ai. Ray gjithashtu thotë se ajo që quhet intelegjenca artificiale mund të jetë shumë e rrezikshme për njerëzit.

Top Channel