Ekspertët mjekësorë izraelitë kanë krijuar një monitor që mund të vishet për të vëzhguar sa më mirë zhvillimin e fetusit tek një grua shtatzënë.

Monitori PregSense ka sensorë të përfshirë në të që kontrollojnë në 24 orë lëvizjet e fetusit. Një pajisje që funksionon nëpërmjet bluetooth lidhet me monitorin dhe mbledh të dhënat mbi rrahjet e zemrës së nënës dhe fëmijës, dhe i shkarkon ato në një smartphone, që mund të shihen vetëm nga nëna dhe mjekët e saj. Pajisja është një punë e NuvoGropu, të drejtuar nga Oren Oz.

Duke shpjeguar pajisjen tek një grua shtatzënë, Oz thotë se mund të shihni në të dhënat e pajisjes se kur është zgjuar fëmija juaj, ku e ka dorën, të dëgjoni rrahjet e zemrës së fëmijës në çdo çast që dëshironi. Çdo e dhënë për shtatzëninë do të përmblidhet në këtë pajisje.

Firma teknologjike izraelite shpreson që pajisja t’u shërbejë nënave që janë në ankth dhe që duan të monitorojnë fëmijën e tyre, pa patur nevojë të shkojnë tek doktori.

Përveç kësaj, PregSense është dizenjuar të mbledhë të dhëna që mund t’u shërbejnë doktorëve të gjejnë simptoma apo komplikacione në fazat e hershme të shtatzënisë.

PregSense nuk përdor ultratinguj si pajisjet e zakonshme, e cila kërkon që nëna shtatzënë të shtrihet ndërsa doktori kontrollon në mënyrë manuale rrahjet e zemrës së fetusit. Sensori përdor një algoritëm të patentuar për të filtruar sinjalet e rrahjeve të zemrës të nënës dhe të fetusit.

Krijuesit e PregSense thonë se sensorët nuk ndikojnë si pajisjet e tjera ultratinguj dhe është i padëmshëm, si për nënën, edhe për fëmijën gjatë monitorimit të vazhdueshëm.

Top Channel