Një agjent imobiliar duke përdorur një aplikacion të transmetimit live për të treguar shtëpinë që do të shesë, shpreson se teknologjia do të përmirësojë imazhin e tij profesional.

Një agjenci shitjesh imobiliare në Britani do të jetë e para që përdor aplikacionin Periscope për këtë qëllim.

“Një gjë që njerëzit janë kritikë për agjentët e shitjes së shtëpisë është vërtetësia, dhe kjo do e ndryshojë këtë”, thotë Simon Bradbury për BBC-në.

Aplikacione të tilla si Periscope apo Meerkat i japin mundësi njerëzve të transmetojnë live në smartphone-in e tyre, apo tablet, dhe shumë shpejt të fitojnë ndjekës.

Z. Bradbury ndoqi shikimin e parë online të një shtëpie në Eyenesbury, Cambridgeshire. Ai tha se 54 persona e panë online, krahasuar me pesë persona që e kishin vizituar. Dhe shtëpia u shit 24 orë më vonë, edhe pse jo nga një shikues i Periscope.

“Të kesh njerëz që shohin të gjithë shtëpinë, që të pyesin për shkollën më të afërt, stacionin hekurudhor më të afërt, sa dhoma ka, është shumë impresive”, thotë Bradbury për BBC-në. Njerëzit mund të dërgojnë zemra duke shtypur në ekran nëse u pëlqen ajo që shohin.

Ky aplikacion sipas Bradbury i detyron agjentët të jenë më të hapur dhe më ‘të vërtetë” dhe i lejon njerëzve të pyesin. Kjo i jep mundësi njerëzve që të shohin shtëpi pa u shkëputur nga koha e punës.

Top Channel