Google, si Apple. Prezanton Android M, me mundësi për të kryer pagesa

28/05/2015 00:00

Google i është kundërpërgjigjur gjigantit Apple me një program të ri Android. Në konferencën I/O në San Francisko kompania njoftoi për versionin e ri të këtij programi, që e kanë quajtur Android M, e që arrin të mbajë baterinë më gjatë, por më kryesorja, mundëson kryerje pagesash.

Ky program do t’ju lejojë të navigoni në celularin tuaj duke përdorur shenjat e gishtërinjve, ndërsa do të ketë një riorganizim të aplikacioneve dhe më shume siguri për të dhënat tuaja.

Versioni i ri i Android do të lejojë njerëzit të përdorin një version të ri të Chrome, në mënyrë që ta kenë më të lehtë të klikojnë nëpër uebsajte. Gjithashtu, Google ka njoftuar për Android Pay, që vjen si kundërpërgjigje për Apple Pay.

Android Pay lejon njerëzit ta përdorin celularin e tyre si karta krediti, njëjtë sikurse sistemi i Apple. Njëri nga zyrtarët e kompanisë në konferencë ka treguar se ky sistem është i thjeshtë dhe shumë i sigurt.

Konferenca e San Francikos shërbeu për të prezantuar edhe sistemin e ri për orët Android Wear. Google njoftoi se mbi 4000 aplikacione janë në dispozicion të Android Wear, falë kësaj platforme të re.

Top Channel