Aplikacioni që e kthen ekranin e punës në…Mario

28/05/2015 00:00

Dikush ka zhvilluar një aplikacion që e kthen ekranin tuaj në një nivel të lojës “Mario. Aplikacioni është ende në fazën e eksperimentimit, kështu që duhet edhe pak që të bëhet efektiv për këdo.

Programi është një ide e Aaron Randall, i cili e bëri në formë eksperimenti. Ai ka thënë për Newsbeat: “Ideja erdhi nga një bisedë me një mik në punë. Ai shpenzonte shumë nga koha e tij për të parë grafikët që monitorojnë serverët tanë. Duke bërë shaka me të një ditë, unë ndërtova një aplikacion që mbulonte grafikët, për t’i kthyer në diçka interesante për t’u parë. Disa javë më vonë, ne kishim hackday (në zyrën ku punon Randall, hackday quhet dita e punës ku çdokush është i lirë ta shpenzojë atë me diçka që i pëlqen), dhe unë bëra diçka me tulla, që eventualisht u bë ‘Screentendo’”, rrëfen Randall.

Por si punon ajo? Parimisht, ai bën një “screenshot” dhe përpunon pamjet disa herë, derisa mbeten blloqe të mëdha bardh e zi, dhjetë me dhjetë piksel secili. Katrorët bardh e zi kthehen në zero dhe njësh në tabelë, që në tranformim kthehen në tullat e lojës.

Aplikacioni kërkon  pak kohë të shkarkohet. “Dua të bëj një version të kompletuar të aplikacionit, por ka shumë punë për të bërë”. Pjesa përpunuese e pamjes është shumë e ngadaltë, dhe për pamje më të mëdha, loja mund të marrë një kohë më të madhe”, shpjegon Randall.

Top Channel