Nëse keni shitur celularin tuaj Android, mundësitë janë të mëdha që mesazhet, email-et dhe fotot të jenë akoma aty, pavarësisht se ju betoheni që i keni fshirë të gjitha. Një studim i fundit i Universitetit të Kembrixhit ka treguar se fshirja e të dhënave tuaja me “factory reset” në sistemin Android nuk largon gjithçka.

Edhe nëse ju keni fshirë në mënyrë manuale duke shtypur “delete” për çdo foto apo mesazh, nuk funksionon. Nëse ju i jepni komandën “delete”, foto ose mesazhi nuk ju shfaqet momentalisht, por ajo është diku në memorien e celularit tuaj.

“Kjo mund të jetë një gjë shumë e komplikuar”, është shprehur Ross Anderson nga Universiteti i Kembrixhit, ndërkohë që Per Thorsheim, ekspert për sigurine kibernetike në Norvegji, ka dhënë një këshillë tjetër. “Mos ia jepni dikujt tjetër celularin tuaj të vjetër. Më mirë shkatërrojeni atë”, ka thënë ai.

Në këtë studim janë marrë 21 celularë që janë prodhuar nga Google, HTC, LG, Motorola dhe Samsung dhe në të gjitha rastet, studiuesit kanë arritur të kthejnë mbrapsht mesazhet, si dhe kredencialet e tjera nga llogaritë personale në Google. Në raste të tjera, kanë arritur të hyjnë edhe në llogaritë e disa rrjeteve sociale.

Top Channel