Xiaomi vjen në Europë. Që prej 19 majit konkurrenti kinez i Apple hap dyqanin e tij online për shitje edhe në Britaninë e Madhe, Francë, e Gjermani, përveçse në Shtetet e Bashkuara.

Kompania Xiaomi ka bërë të ditur hapjen e dyqanit online në SHBA dhe Europë me një postim në Facebook, ku i fton përdoruesit të nisin regjistrimet.

Për momentin, oferta online do të jetë e limituar në aksesorë, si kufje, byzylykë ‘smart’ dhe bateri portative. Kjo është dhe një mënyrë për të ‘testuar terrenin’ e tregut perëndimor, ndoshta në funksion të një game më të gjerë, që përfshin edhe pjesën më të fortë të Xiaomi; smartphonët.

Në pak vite, Xiaomi, zv.presidenti i të cilit Hugo Barra është një ish-menaxher në kompaninë Google, ka rritur tregun e smartphonëve duke u renditur në pesë produktet botërore më të shitura, pothuajse vetëm në Kinë, ku është kokë më kokë me Apple.

Vitin 2014 kompania e mbylli me 61 milionë smartphonë të shitur dhe tashmë quhet si “Apple i Kinës”. Ajo është akuzuar disa herë nga e njëjta kompani, Apple, për kopjim të modeleve të saj.

Top Channel