Google Car nuk do të jetë tashmë vetëm në cirkuitet e provave, por edhe në rrugë. Makinat e projektit amibicioz të Big G, të cilat ecin pa shofer, do të dalin në rrugët publike të Kalifornisë këtë verë.

Testet e para do të jenë në lagjet afër rezidencës së Google në Maountain View. Ka qenë vetë kolosi i internetit që ka bërë të ditur lajmin në Blogun e tij.

“Associated Press” ndërkaq bën të ditur se eksperimentimi i ri i Google do të nisë me 25 makina, por shpreson që të realizojë 50 apo 100 të tilla më pas, me qëllimin për t’i testuar në kushte të ndryshme; në kodër apo fushë, pse jo dhe në kohë me shi.

Objektivi i fundit, – shprehet bashkëthemeluesi i Google, Sergey Brin, – është të kesh një makinë të gjithën të kontrolluar nga kompjuteri, që eleminon gabimet njerëzore. Ky i fundit është faktori kryesor, në 90 për qind të 1 milion e 200 mijë aksidenteve rrugore që ndodhin çdo vit në botë.

Prototipi i Google Car, që do të debutojë në rrugët publike, mund të ecë, të frenojë, të njohë pengesat, rreziqet në rrugë… pa ndërhyrjen e njeriut. Vetura e re megjithatë nuk mund të kalojë shpejtësinë e 40 km/h dhe është elektrike. Ajo duhet karrikuar çdo 130 km.

Fillimisht, ajo do të ketë timon dhe pedale, sepse e kërkojnë ligjet kaliforniane, dhe do të provohet me një njeri brenda.

Top Channel