Erdogan, pas vizitës: Qasje pozitive në Tiranë për mbylljen e shkollave të Gulenit

15/05/2015 00:00

Ndërkohë që në mediat shqiptare vazhdon ende jehona e deklaratave të Presidentit Erdogan në Tiranë, i cili e quajti “terroriste” lëvizjen Gulen, në ato turke vizita e tij është paraqitur shumë e frytshme.

Gjatë kthimit në Ankara, në avionin presidencial, Erdogan ka deklaruar para gazetarëve se Presidenti Bujar Nishani dhe Kryeministri Edi Rama kanë pasur një qasje pozitive, në lidhje me kërkesën e tij për dëbimin e aktiviteteve arsimore të lëvizjes Gulen, që operojnë në Shqipëri.

Tirana zyrtare ende nuk ka dhënë një përgjigje të qartë se, çfarë faktesh ka paraqitur Erdogani në lidhje me aktivitetin “terrorist” të kësaj lëvizjeje dhe sesi do të jetë e ardhmja e institucioneve arsimore të tyre në vendin tonë.

Pas prishjes së marrëdhënieve me Gulenin, Presidenti turk ka kërkuar me forcë nga çdo drejtues shteti dëbimin e aktiviteteve të kësaj lëvizjeje nga vendet e tyre, dhe në shumë raste mediat turke e kanë cilësuar si një fitore të bujshme të Erdoganit ndaj Gulenit.

Para disa kohësh, në mediat turke u publikua edhe një bisedë telefonike mes Presidentit amerikan Obama dhe Erdoganit, ku ky i fundit i kishte kërkuar ekstradimin e Fethullah Gulenit nga Amerika.

Presidenti turk, atëherë pretendoi se kishte marrë një përgjigje pozitive nga ana e Presidentit Obama, por disa ditë më pas zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë e përgënjeshtroi pjesën e bisedës, që kishte të bënte me esktradimin e Gulenit.

Gjatë deklaratës së zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë thuhet se, Obama kishte vënë theksin mbi mbizotërimin që duhet të ketë drejtësia dhe rëndësinë e ndjekjes së politikave të shëndetshme. Ky shtrembërim i bisedës mes dy krerëve të shteteve solli dhe reagimin e disa mediave të mëdha amerikane.

“New York Times” i asaj kohe publikoi një artikull, ku e përkufizonte lëvizjen e Erdoganit kryeministër, si asgjë më shumë se një përpjekje e pagdhendur dhe cinike për të shfrytëzuar ligjin dhe aleancën e Turqisë me Shtetet e Bashkuara për larje hesapesh politike.

Top Channel