Ministri i Punëve të Jashtme dhe zv.kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbështetur konkurrentët e rinj kosovarë, të cilët po garojnë në “NASA Space Apps Challenge”.

Në rrjetin social Facebook, Thaçi ka shkruar se, këta të rinj kanë nevojë për popullin e Kosovës në rrugëtimin e tyre drejt çmimit të “People’s Choice Award”.

“U urojmë shumë fat të rinjve tanë, Qendrës Inovative të Kosovës, dhe të gjithë qytetarëve të vendit tonë. Këta të rinj kanë nevojë për mbështetjen e fuqishme të të gjithëve ne, në rrugën drejt fitimit të çmimit ‘People’s Choice Award’ në kuadër të garës ‘NASA Space Apps Challenge’, në të cilën po marrin pjesë mbi 13 mijë garues, nga 133 shtete pjesëmarrëse, me 950 projekte”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

“NatEv Explorer” është një platformë e bazuar në internet, ku sinkronizohen të dhënat në kohë reale të satelitëve të NASA-s dhe bën klasifikimin e dukurive gjeologjike, duke përdorur inteligjencë artificiale.

“NatEv Explorer” zgjidh sfidën e ashtuquajtur “Volcanoes, Icebergs and Cats from Space”. Kjo sfidë ka të bëjë me zbulimin e dukurive natyrore nga hapësira, siç janë shpërthimet vullkanike, vërshimet, tornadot, shkrirjet e akullnajave, zjarret në male e pyje, aurorat etj.

Ekipi kosovar, aktualisht është në vendin e dytë, që tashmë përbën edhe një triumf për promovimin e Kosovës përmes diplomatëve dixhitalë.

 

Top Channel