1 Maji në Kosovë, i dobët zbatimi i ligjit të punës

01/05/2015 00:00

Zbatimi i ligjit të punës për punonjësit kosovarë, sidomos ata të sektorit privat, konsiderohet pikë e dobët për shumë biznese në Kosovë.

Pjesëtarë të shoqërisë civile dhe të opozitës, në Ditën Botërore të Punëtorëve konstatuan gjendjen e mjerueshme të punonjësve dhe fajësuan qeverinë për moskrijimin e mekanizmave që mundësojnë zbatimin e ligjit të punës.

Deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli përmendi faktin se Inspektorati i Punës funksionon me vetëm 50 inspektorë për të kontrolluar mijëra biznese.

Nga ana tjetër, qytetarët e Kosovës kanë vendosur që 1 Majin ta shënojnë thjeshtë si një ditë pushimi apo feste. Shumë prej tyre janë drejtuar për në parkun e Gërmisë.

Edhe këtë vit protestat nuk janë konsideruar si opsion nga punonjësit për të kërkuar të drejtat e tyre, ndërsa disa mbishkrime rrugëve të Prishtinës janë e vetmja shenjë që ilustron sadopak situatën.

Kryesindikalisti kosovar, Haxhi Arifi, tha se protesta nuk është forma e duhur për të përçuar kërkesat e punëtorëve, por dialogu. Faktori që kontribuon më së shumti në moszbatimin e ligjit të punës në Kosovë është niveli i lartë i papunësisë.

Sipas hulumtimeve, të rinjtë kosovarë mjaftohen me gjetjen e një vendi pune, pavarësisht llojit të marrëveshjes me punëdhënësin.

Sa u përket punonjësve të sektorit publik vlerësohet se ata janë në gjendje më të mirë, megjithatë kjo kategori vuan nga shfrytëzimi që u bëhet nga partitë në pushtet në kohë fushate, ndërsa problematikë ende mbetet nivelizimi i pagave.

Top Channel