Zhvillimi ekonomik në Gjakovë-Has-Tropojë, takim pune mes Minxhozit e Kusari-Lilës

30/04/2015 00:00

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi bën thirrje që të lihen mënjanë folklorizmat dhe të punohet konkretisht në zhvillimin ekonomik.

Ai mori pjesë në një takim në Gjakovë, ku u diskutua zhvillimi social-ekonomik i zonës së përbashkët mes Gjakovës, Hasit dhe Tropojës, për shkak të afërsisë kufitare që kanë.

“Për dy javë, në Gjakovë do të vijnë një grup biznesmenësh, me në krye kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, për të parë konkretisht se çfarë po ndodh këtu. Kur them këtu, jemi në Gjakovë të Kosovës, por jemi edhe në Shqipëri. Kemi folur për shumë vite me folklorizma, prej 10 vitesh. Folklorin t’ia lëmë çiftelisë, neve na duhet ekonomia, na duhet një bashkëpunim i vetëm”, tha Qemal Minxhozi, ambasador i Shqipërisë në Kosovë.

“Ajo çfarë ka ndodhur në këto 16 vitet e fundit, që pas luftës, ka qenë me për inerci. Tashmë ka ardhur momenti, që t’i japim një shtytje apo një motor kësaj inercie dhe të kemi zhvillimin. Unë e kam thënë se kjo nismë do të jetë e suksesshme, kur traktorët do të punojnë në vijën kufitare dhe do të kemi shtëpi ose organizata turistike, të cilat do të ofrojnë shërbime, pa pasur rëndësi nëse janë në Kosovë, apo në Shqipëri”, tha Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Gjakovës.

Në debat, përfaqësuesit e bizneseve shpalosën idetë e tyre për mundësitë e zhvillimit ekonomik në zonën Gjakovë-Has-Tropojë, por thanë se duhet më shumë përpjekje nga qeveritë e dy vendeve.

Top Channel