Steinmeier takon Mustafën: Gjykata Speciale i shërben Kosovës

28/04/2015 00:00

Javën e ardhshme, në Kosovë do të vijë një grup pune nga Brukseli, për harmonizimin e qëndrimeve me specialistët vendorë për ligjin mbi dhomat e veçanta të Gjykatës Speciale. Kjo u bë e ditur nga kryeministri Isa Mustafa, në konferencën e përbashkët me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Frank- Walter Steinmeier, pas takimit me dyer të mbyllura.

“Tani është vetëm çështje konkretizimi, e asaj që është vendosur para një viti. Se cila do të jetë data, kur Kuvendi do të trajtojë çështjen e ndryshimeve kushtetuese dhe të aprovimit të ligjit mbi dhomat e veçanta të Gjykatës Speciale, këtë nuk mund t’iua them sot, sepse ende nuk ka përfunduar tërësisht ligji. Me informacionet që kam, pritet që javën e ardhshme të vijë një grup pune nga Brukseli, në mënyrë që të harmonizohen qëndrimet me specialistët nga Kosova, lidhur me ligjin mbi dhomat e veçanta të Gjykatës Speciale. Mendoj se, sapo të përfundojë ajo procedurë do të procedohet në Kuvend me ndryshimet kushtetuese, me ligjin por edhe me ratifikimin e marrëveshjes me Holandën”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Ministri i Jashtëm gjerman, Steinmeier tha se themelimi i Gjykatës Speciale është plotësim i një ndër parakushteve ndërkombëtare të Kosovës.

“Besoj se javët e ardshme do të ketë një vendim lidhur me këtë dhe mendoj se është mirë, sepse kjo është një dëshmi që Kosova, jo vetëm ka për detyrë t’i përmbushë detyrimet ndërkombëtare, por edhe merr përgjegjësi për vendin e vet. Mendoj që Kosova po i bën një favor historisë së saj dhe gjeneratave të reja, me përgjegjësinë që t’i sqarojë çështjet përmes kësaj gjykate. Nga përvoja gjermane mund të them se ballafaqimi me të kaluarën është baza, që njeriu të jetë i vetëdijshëm dhe të lëvizë përpara drejt të ardhmes së tij”, tha Frank-Walter Steinmeier, ministër i Jashtëm i Gjermanisë.

Steinmeier ka prekur edhe çështjen e liberalizimit të vizave, duke thënë se ka përparim në përmbushjen e kritereve. Ai shtoi se vizat për Gjermaninë, ashtu si dhe për vendet e Bashkimit Evropian nuk janë pengesë, që studentët e Kosovës të studiojnë në këto vende.

Kryeministri Isa Mustafa njoftoi se, gjatë takimit është diskutuar për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, me theks të veçantë në Asociacionin e Komunave Serbe, Kodin Telefonik dhe Energjinë. Ndërsa i pyetur, nëse çështja e liqenit të Gazivodës ishte temë e diskutimeve në Bruksel, Mustafa ka mohuar një gjë të tillë.

Ministri Steinmeier përsëriti qëndrimin e Gjermanisë, lidhur me dhënien e azilit për kosovarët që kanë migruar, duke e vlerësuar si mashtrim të trafikantëve. Steinmeier, gjatë ditës ka zhvilluar takime të ndara edhe me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe zëvendëskryeministrin e ministrin e Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi.

Top Channel