Procesi “Drenica 1”, avokatët: Nuk ka prova ndaj klientëve tanë

28/04/2015 00:00

Në Gjykatën Themelore në Mitrovicën e Veriut është lexuar fjala përfundimtare e mbrojtjes në çështjen “Drenica 1”, ku të dyshuar për krime lufte janë: Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Ismet Haxha, Sabit Geci, Avni Zabeli dhe Jahir Demaku.

Avokati Tahir Rrecaj, mbrojtës i të dyshuarit Sahit Jashari, duke lexuar fjalën e tij përfundimtare theksoi se në bazë të të gjitha dëshmive deri tani nuk është vërtetuar fajësia e klientit të tij. Ai ka përsëritur bindjen e tij se përfundimi i këtij procesi gjyqësor do të rezultojë në favor të klientit të tij, por edhe të të akuzuarve të tjerë.

“Kam besim të plotë në trupin gjykues, i cili deri tani ka qenë jashtëzakonisht profesional, se do të marrë vendim të drejtë dhe të ligjshëm, dhe ai vendim është liria për zotin Jashari dhe të tjerët. Unë shpresoj shumë që kur të vijë dita e shpalljes së akt-gjykimit do t’i gëzohemi të gjithë këtij fakti”, deklaroi ai.

Edhe avokati mbrojtës i Ismet Haxhës, Mahmut Halimi theksoi se në asnjë provë të vetme deri tani nuk është vërtetuar fajësia e klientit të tij.

“Jam i bindur se do të vërtetohet pafajësia e klientit tim dhe ai do të lirohet nga akuza. Në asnjë vendim dhe në asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar fajësia e zotit Ismet Haxha”, tha avokati Halimi.

Seanca e radhës në rastin “Drenica 1”, ku pritet që edhe avokatët tjerë ta thonë fjalën e tyre përfundimtare, do të vazhdojë të mërkurën më 29 prill, në orën 10:00.

Top Channel